Kroacia nuk do t’i bashkohet “Këshillit të Paqes”, strukturë e prezantuar së fundmi nga presidenti amerikan Donald Trump, ka bërë të ditur kryeministri kroat Andrej Plenković.
Duke folur për mediat, Plenković deklaroi se vendimi është marrë pas një analize të detajuar, por pa dhënë shpjegime konkrete për arsyet e refuzimit. “Qëndrimi i qeverisë është që, për momentin, Kroacia të mos i bashkohet Këshillit të Paqes për disa arsye”, tha ai, duke shtuar se këto arsye nuk do të bëhen publike.
Qeveria kroate kishte njoftuar më herët se vendi ishte ftuar të bëhej pjesë e kësaj strukture, e cila pritet të drejtohet nga Donald Trump. Plenković kishte theksuar gjithashtu se, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, Kroacia pret fillimisht një qëndrim të përbashkët të BE-së për këtë çështje.
“Këshilli i Paqes” u shpall javën e kaluar nga Trump gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, fillimisht si pjesë e një nisme amerikane për përfundimin e luftës në Rripin e Gazës. Megjithatë, ambiciet e kësaj strukture shtrihen përtej këtij konflikti, pasi synojnë ndërhyrjen në zgjidhjen e krizave globale — një zhvillim që, sipas kritikëve, mund ta vendosë atë në konkurrencë me Kombet e Bashkuara.
Deri tani, vendet e BE-së që e kanë refuzuar ftesën për t’iu bashkuar këtij këshilli janë: Franca, Suedia, Sllovenia, Spanja, Irlanda, Belgjika dhe Kroacia.



