Ballina Europë Sicilia në alarm/ Gazetari investigativ: Mafia shqiptare po depërton thellë pa miratimin...

Sicilia në alarm/ Gazetari investigativ: Mafia shqiptare po depërton thellë pa miratimin e Cosa Nostra-s

30
0

Të mërkurën në Palermo të Italisë, pranë selisë së Asamblesë Rajonale të Sicilisë, u mbajt një seancë dëgjimore delikate e Komisionit Parlamentar Antimafia, e drejtuar nga kryetari Antonello Cracolici.

Protagonist i takimit ishte gazetari investigativ, Giuseppe Bascietto, me origjinë nga Vittoria, i thirrur për të raportuar mbi zhvillimet më të fundit të kriminalitetit të organizuar në Sicili. Një pjesë e seancës u zhvillua me dyer të mbyllura, çka tregon rëndësinë dhe ndjeshmërinë e temave të trajtuara.

Bascietto shpjegoi se mbledhja, e cila zgjati pothuajse dy orë, u përqendrua kryesisht në aktivitetet e krimit të organizuar shqiptar dhe në degëzimet e tij në territorin sicilian.

“Kemi folur në thelb për kriminalitetin e organizuar shqiptar, për aleancat e tij me figura dhe klane lokale: në Gela me familjet Paolello dhe Rinzivillo; në Katania me klanin Cappello, Arena dhe Nizza të lagjes Librino, të cilët janë aleuar me Cappello duke u shkëputur nga Santapaola. Në Sirakuzë vepron klani Bottaro, ndërsa zona e Avola, Pachino dhe Rosolini kontrollohet nga klanet Aparo, Trigila dhe familja Crapula, me lidhje edhe me klanin Nardo”.

Sipas Basciettos, situata aktuale është shumë shqetësuese sepse “këto organizata të reja po e ndajnë Sicilinë në dy pjesë, duke vepruar pa miratimin e Cosa Nostra-s palermitane dhe duke kaluar fjalë për fjalë mbi kokën e saj. Kjo po krijon një sërë problemesh dhe tensionesh në territor”.

Gazetari theksoi se aftësia e grupeve shqiptare për të krijuar aleanca ka qenë vendimtare për depërtimin e tyre në juglindje të Sicilisë, zonë e konsideruar historikisht si “pika e dobët” e rajonit, e cila që në vitet e Stidda-s kishte shpallur luftë ndaj Cosa Nostra-s palermitane.

Bascietto shpjegoi se, sipas tij, juglindja e Sicilisë po shndërrohet në “portin e ri të Gioia Tauro-s”, duke u bërë një nyje kyçe për trafikun ndërkombëtar të drogës. “Droga mbërrin, shpërndahet nëpër zona rurale dhe më pas fshihet në fikëse zjarri, në speca ose në dysheme të dyfishta të modifikuara të kamionëve, për t’u shpërndarë më pas në të gjithë Evropën. Logjistika është e thjeshtë: niset nga Katania, vazhdon drejt Kalabrisë ku gjen mbështetjen e familjeve historike të ’Ndrangheta-s si Ndrina e Coluçia-ve dhe ato të Gioiosa Ionica dhe Marina di Gioiosa Ionica. Prej andej kalon në Leçe dhe aktualisht në zonën e Brindisit, ku vepron klani Buccorella, i lidhur me ndrinat kalabreze të Coluçia-ve, të Gioiosa Ionica-s dhe Marina di Gioiosa Ionica-s, si edhe me të ashtuquajturin “puorcu” të Vittoria-s; nga Leçe malli ndërron shoferë në çdo nyje, deri sa mbërrin në Gjermani, ku shpërndahet më tej për të arritur në të gjithë kontinentin”.

Deklaratat e tij ngjallën vëmendjen e Komisionit, duke vënë në pah kompleksitetin dhe rrezikshmërinë e aleancave të reja kriminale që po riformësojnë hartën mafioze të Sicilisë. “Vetëm hetimet e ardhshme do të mund të sqarojnë deri në çfarë mase këto organizata po veprojnë pa miratimin e mafieve të vjetra”, theksoi gazetari, duke bërë thirrje për vigjilencë të lartë dhe për një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë mes forcave të rendit dhe institucioneve.