Ballina Europë Spanja legalizon qëndrimin e shumë emigrantëve

Spanja legalizon qëndrimin e shumë emigrantëve

28
0

Qeveria në Madrid po nis një procedurë të jashtëzakonshme që do t’u lejojë emigrantëve që më parë kanë jetuar ilegalisht në vend të fitojnë të drejtat e qëndrimit.

Qeveria e krahut të majtë e Spanjësplanifikon të legalizojë statusin e qëndrimit të qindra mijëra migrantëve pa dokumente. Kabineti ka vendosur për këtë, njoftoi Ministrja e Migracionit Elma Saiz.

“Ne po forcojmë një model migrimi të bazuar në të drejtat e njeriut”, theksoi Saiz, e cila është edhe zëdhënëse e qeverisë. Imigrantëve do t’u ofrohen “garanci, mundësi dhe të drejta”. Ministrja iu referua në këtë kontekst “efekteve pozitive” të migrimit.

Kryeministri socialist Pedro Sánchez justifikon politikën pro-migrimit të koalicionit të tij duke përmendur kërcënimin për shtetin e mirëqenies dhe sigurinë e pensioneve për shkak të mungesës së punëtorëve dhe një popullsie në plakje.

Një kundërmodel ndaj atij në SHBA

Spanja po ndjek kështu një kurs të ndryshëm nga shumë vende të tjera perëndimore – më së shumti SHBA-ja nën presidentin Donald Trump, i cili dëshiron të deportojë të gjithë të huajt pa status rezidence ligjore. Shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian gjithashtu mbështesin një shtrëngim të politikave të migrimit.

Së bashku me Italinë dhe Greqinë, Spanjaështë një nga vendet kryesore ku mbërrjnë migrantë në Evropë. Sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar i Statistikave (INE), rreth 9.8 milionë njerëz të lindur jashtë vendit jetonin në Spanjë në vitin 2025 – pothuajse 20 përqind e popullsisë së përgjithshme.

Biletë treni si provë

Të gjithë migrantët që kanë shkuar në Spanjë para 31 dhjetorit 2025, tani mund të përfitojnë nga procedura e jashtëzakonshme në këtë vend. Ata nuk duhet të kenë precedentë penalë dhe duhet të kenë jetuar në vend për të paktën pesë muaj në kohën e aplikimit.

Kjo provë përfundimtare mund të sigurohet, për shembull, nga dokumente të tilla si certifikata mjekësore, marrëveshje qiraje, fatura transfertash bankare ose dhe bileta treni të blera. Aplikimet për legalizim mund të dorëzohen deri më 30 qershor të këtij viti.

Iniciativa do të zbatohet me dekret mbretëror. Ky instrument ligjor nuk kërkon ratifikim nga Parlamenti në Madrid, ku koalicioni i Sánchez nuk ka shumicën. Një iniciativë përkatëse legjislative nga qeveria kishte ngecur në procesin parlamentar./DW