Ballina Aktualitet Rama dhe Balluku firmosin lejen e radhës për çunat e APEX-it, “kërpudhë”...

Rama dhe Balluku firmosin lejen e radhës për çunat e APEX-it, “kërpudhë” 20 kate ngjitur me stadiumin ‘Air Albania’

44
0

Dy krerët e shtetit, kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë firmosur një tjetër leje ndërtimi, në një nga zonat më elitare të Tiranës. Një kullë e lartë 15 kate mbi tokë dhe 5 kate nëntokë, në formën e kërpudhave, do të shtohet në afërsi të stadiumit Air Albania, e ndërtuar nga dy vëllezërit që dikur kanë pasur në pronësi kazinonë APEX.

Dokumentet e hulumtuara nga VoxNews tregojnë se kulla do të jetë në rrugën “Dervish Hima”, shumë afër stadiumit, teksa zhvillues i pronës është kompania TDT & PARTNERS, me pronar Dajlan Avdia dhe Glendi Abdi. Dy të fundit e kanë zgjeruar aktivitetin në fushën e ndërtimit, kryesisht në Tiranë, Sarandë apo edhe në Kepin e Rodonit.

Interesante është se, sa herë që ka konflikte për një pronë, dalin në “dritë” dy vëllezërit me mbiemra të ndryshëm, njëri prej të cilëve edhe me pasaportë gjermane. Ndërtimet në Kalanë e Lëkursit dhe në Kepin e Rodonit në Durrës janë dëshmi që pas tyre mund të jenë interesa të palëve të treta. Por, faktimi i këtyre dyshimeve apo akuzave, i takon vetë institucioneve ligjzbatuese.

VoxNews ka siguruar dokumentet e kësaj leje, e cila bën fjalë për miratimin e një leje ndërtimi për objektin “godinë shërbimi dhe banimi 15 kate me 5 kate parkimi nëntokë, në rrugën ‘Dervish Hima’, me vendndodhje në bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues ‘Tdt & Partners’ shpk”.

Rama dhe Balluku firmosin lejen e radhës për çunat e APEX-it,

Leja e ndertimit

“Prona është përgjatë rrugës Dervish Hima, në Veri-Lindje të Stadiumit Arena, pra relativisht afër me Qendrën e qytetit si dhe me Liqenin Artificial te Tiranës. Zona ka diversitet ne llojin dhe lartësinë e objekteve. Në afërsi gjenden vila individuale 1-3 kate, pallate banimi që variojnë në lartësi nga 5-20 kate, objekte të ndryshme shërbimi, si dhe siç u përmend më parë Arena Kombëtare”, thuhet në dokumente.

Mësohet se aktualisht, prona në fjalë, ka një objekt ekzistues të ndërtuar brenda saj, të tipit vilë individuale 2 katëshe. “Trualli që kërkohet të zhvillohet ka një sipërfaqe totale prej 1607 m2, ku përfshihen pesë prona”, vijon dokumenti.

Në lejen e ndërtimit shkruhet se, nga 15 kate mbi tokë, 3 kate do të jenë të dedikuara për shërbime të ndryshme dhe pjesa tjetër do të përdoret për banim. “Kati përdhe do të jetë i dedikuar për shërbime të cilat mund të ketë nevojë zona dhe do të ketë një lartësi prej 5m. Kati i parë do të përdoret si ambient zyrash dhe do të ketë një lartësi 4.2 m. Kati i fundit i objektit, pra kati 14 do të jetë gjithashtu i përdorur për shërbime, specifikisht si një restorant me një lartësi prej 5 m”, vijon dokumenti.

Mësohet se në katet e banimit do të kemi 3 kate tip të përsëritura përgjatë objektit. Ndryshimi i vetëm nga kati në kat janë ballkonet, të cilat ndryshojnë formë çdo kat. “Apartamentet janë të menduara me ballkone të mëdha duke pasur parasysh dhe formën e objektit me ballkonet e valëzuara që i vijnë përreth trupit të objektit. Për të krijuar privatësi nga apartamenti në apartament janë përdorur ‘kolona’ dekorative të cilat mbyllin valëzimet e ballkoneve dhe ndajnë ballkonet nga njëri apartament në tjetrin”, vijon dokumenti.

Në letra shkruhet se për këtë objekt, frymëzimi për pamjen dhe trajtimin e saj lindi nga format organike të kërpudhave. “Forma e tyre u racionalizua dhe u tipizua duke arritur në një formë kryesisht gjeometrike. Për t’a theksuar më shumë konceptin, disa elementë skulptural në formë kërpudhash realistike përsëriten në disa pika të ndryshme të objektit”, thuhet në letra.

Sipas saj, vetë volumi përbëhet nga trupi kryesor i cili vishet me fasadë xhami dhe më pas me valëzime të formave të ndryshme krijohen ballkone të cilat ndryshojnë në çdo kat. Këto ballkone përfaqësojnë kurorat e kërpudhave dhe mbështeten mbi kolona dekorative në formë kërcellësh të cilat variojnë në lartësi 1 ose 2 kate.

VoxNews ka analizuar edhe historikun e kompanisë, ku rezulton se Abdi dhe Avdia e blenë kompaninë në vitin 2017. Shitësi ishte Petrit Ismaili, ndërkohë që Glendi Abdi dhe Dajlan Avdia u bënë pronar të rinj.

Por, a ka kapacitete financiare kjo kompani për t’a ndërtuar? Bilanci i fundit i depozituar në QKB është bërë në vitin 2025 dhe bën fjalë për xhiron vjetore të vitit 2024. Në këtë vit, kjo kompani ka deklaruar një fitim prej rreth 450 mijë eurosh./ Voxnews.al