Ballina Dossier “O më vratë!” – klithma e kujtesës së Eda Zarit për vëllain...

“O më vratë!” – klithma e kujtesës së Eda Zarit për vëllain dhe plagët e komunizmit

24
0

Në Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit, këngëtarja e njohur shqiptare Eda Zari ka zgjedhur të flasë jo me heshtje, por me një rrëfim të fortë personal që kthehet në një akt moral ndaj historisë.

Përmes një reagimi emocional kushtuar vëllait të saj Ilir, i vrarë në përpjekje për të kaluar kufirin e telave me gjemba, Zari nuk flet vetëm si motër e plagosur, por si ndërgjegje që refuzon harresën kolektive.

Ajo hap mesazhin e saj me thirrjen tronditëse: “O më vratë!”, duke e shndërruar dhimbjen personale në akuzë publike ndaj një shoqërie që, sipas saj, ka zgjedhur të ecë përpara pa u përballur me të shkuarën.

“Sot është dita kur ta ndërprenë frymën, vëlla! Çfarë është kujtesa, nëse nuk shërben si ndërgjegje? Dhe çfarë është harresa, nëse jo forma më dinake e bashkëfajësisë?” – shkruan ajo.

Zari thekson se 3 shkurti për të nuk është thjesht ditë zije, por një përballje e vazhdueshme me një padrejtësi që nuk u ndëshkua kurrë. Sipas saj, Iliri u vra dy herë: fillimisht nga regjimi në kufi, dhe më pas nga indiferenca e tranzicionit dhe mungesa e drejtësisë historike.

Në mesazhin e saj, këngëtarja ngre një pyetje thelbësore për Shqipërinë e sotme:
A jemi vërtet një shoqëri e lirë, apo vetëm kemi mësuar të mbijetojmë mbi themelet e harresës?

Në fund, reagimi i saj kthehet në një akt dashurie dhe kujtese:

“Ti deshe lirinë më shumë se frymën, vëlla… Ti jeton në çdo notë timen dhe në çdo revoltë timen ndaj banalitetit të së keqes. Të dua, dëshmitari im i përjetshëm.”

Mesazhi i Eda Zarit i bashkohet zërave që kërkojnë jo vetëm përkujtim simbolik, por edhe drejtësi të vonuar për viktimat e diktaturës – një thirrje që mbetet po aq aktuale sa dhimbja që e ushqen.