Tirana dhe Elbasani ndanë nga një pikë pas barazimit 2-2 në “Selman Stërmasi”, në një ndeshje ku verdheblutë kaluan dy herë në avantazh. Elbasani shënoi i pari në minutën e 23-të, kur Ardit Nikaj hyri nga e majta dhe pasimi i tij u devijua nga Ndong në portën e Tiranës.
Bardheblutë reaguan shpejt dhe barazuan në minutën e 30-të me Redon Xhixhën, i cili shënoi me kokë pas harkimit të Kish nga e djathta. Elbasani e riktheu avantazhin në minutën e 37-të, kur Mazari kaloi edhe portierin Bekaj dhe realizoi për 2-1.
Tirana e nisi pjesën e dytë në sulm dhe gjeti barazimin e dytë në minutën e 54-t, me Xhixhën që kompletoi dopietën pas asistimit të Ilievskit.
Në vazhdim, të dyja skuadrat patën mundësi për gol, ndërsa Xhixha goditi shtyllën në minutën e 78-të dhe Hazrollaj u ndal nga Aleksovski.
Elbasani rrezikoi në fund me Dacin dhe Hebajn, por rezultati nuk ndryshoi dhe ndeshja u mbyll 2-2.Pas këtij barazimi, Tirana renditet e gjashta me 5 pikë, ndërsa Elbasani i pesti me 6 pikë.







