Ballina Kosovë Nën sytë e UNMIK dhe KFOR/ Si u vranë, plagosën dhe u...

Nën sytë e UNMIK dhe KFOR/ Si u vranë, plagosën dhe u dëbuan shqiptarët nga Veriu

39
0

Kosova ka shënuar 26-vjetorin e ngjarjeve të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, të njohura si “netët e terrorit”, kur në pjesën veriore të Mitrovicës struktura të organizuara serbe sulmuan, shkatërruan dhe dogjën shtëpitë shqiptare, por lanë edhe të vrarë me qëllim për t’i detyruar shqiptarët të largohen nga veriu.

Shtatë muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë, në muajin shkurt të vitit 2000, dhjetë civilë shqiptarë do të vriteshin në pjesën veriore të Mitrovicës. Më i vjetri ishte 61 vjeç, ndërsa më i riu 13 vjeç. Ato netë, gjithashtu u plagosën 25 shqiptarë, ndërsa mbi 12 mijë të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Në përvjetorin e këtyre ngjarjeve, në urën për këmbësorë që lidh pjesën jugore dhe veriore të Mitrovicës, u vendos një pllakë përkujtimore në nderim të viktimave.

Po ashtu, në Qendrën Kulturore të qytetit u hap një ekspozitë me fotografi dhe dëshmi nga ajo periudhë.

Faton Peci, kryetar i Mitrovicës, shprehet: “Duhet të jetë e paharruar sakrifica dhe gjaku i derdhur i qytetarëve shqiptarë edhe pas çlirimit të Kosovës dhe prezencës së KFOR-it në Kosovë ata u vranë, civilë të pafajshëm, fatkeqësisht ato dy net të pambrojtur vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë dhe ishin rikthyer në shtëpitë, banesat dhe pronat e tyre”.

I gjithë tmerri ndodhi nën sytë e Policisë së UNMIK-ut dhe trupave franceze të KFOR-it që ishin vendosur në atë anë.

Luan Abrashi, që përjetoi tmerrin si 13-vjeçar duke humbur edhe të ëmën, rrëfen mes emocioneve dhunën e shfrenuar nga ata që u vetquajtën si “Rojet e Urës”: “Ka qenë e organizuar shumë mirë nga ana e strukturave serbe për spastrimin etnik të shqiptarëve. Ka qenë një natë e tmerrshme realisht vrasjet janë bërë pa dallim gjinie apo moshe dhe në mënyrën më barbare, me bomba, armë të ftohta”.

Për ngjarjet e shkurtit 2000, në vitin 2014 u ngrit një aktakuzë ndaj katër personave, në mesin e tyre edhe politikani serb Oliver Ivanoviç. Pas më shumë se një viti gjykimi, të akuzuarit u shpallën të pafajshëm.

Rasti u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në vitin 2016, por procesi nuk u përfundua, pasi Ivanoviç u vra në janar të vitit 2018.

“Ne mendojmë se duhet të bëjmë padi edhe në drejtësinë ndërkombëtare të Strasburgut, pasi ka qenë rast i veçantë, në prani të forcave ndërkombëtare të KFOR-it dhe UNMIK-ut, ku u është dashur të na ofrohet siguria, realisht ne kemi gjetur vdekjen në banesat tona”, tha Abrashi.

Vitin e kaluar, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka kërkuar Bashkimit Europian një hetim gjithëpërfshirës për ngjarjet e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të vendit përmes një letre dërguar Përfaqësueses për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas.