Një kompani e sapo-krijuar, “Sungrid Albania”, ka rezultuar fituese në një procedurë të zhvilluar nga Bashkia e Vaut të Dejës për dhënie me qera të një sipërfaqeje mbi 50 hektarë në zonën e Mnelës, për ngritjen e parqeve fotovoltaike.
Më herët, në fillim të janarit 2026, tre kompani të tjera, njëlloj të sapo-krijuara dhe anonime, kanë fituar procedura të ngjashme nga kryebashkiaku Kristian Shkreli, duke ngritur pikëpyetje të rëndësishme mbi një skemë të dyshuar favorizimi.
“Sungrid Albania” është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) në 22 dhjetor 2025. Aksioneri i saj është Ardit Peqi, i cili rezulton se ka një aktivitet shitje fruta-perimesh në Lezhë, që prej vitit 2024.

Në të njëjtën ditë që “Sungrid Albania” u regjistruar në QKB, pra në 22 dhjetor 2025, bashkia e drejtuar nga Kristian Shkreli shpall procedurën për “dhënie me qira e sipërfaqen 54.18 hektarë, ngastrat nr.6/a dhe nr.7 në fshatin Mnelë, “Për park fotovoltaik (stacionet, objektet përkatëse etj)…”.
Sipas dokumentave zyrtarë, çmimi dysheme i fillimit të konkurrimit ishte në vlerë 7.747.740 lekë të reja në vit për të gjithë sipërfaqen.

Rezultatet e procedurës së qiradhënies janë publikuar në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik në 2 shkurt 2026. Në garë rezulton se ka marrë pjesë vetëm “Sungrid Albania” shpk, e cila, ka paraqitur ofertë 7.747.740 lekë në vit, saktësisht sa ishte edhe çmimi dysheme, i përcaktuar nga Bashkia e Vaut të Dejës.
Kjo procedurë e dyshimtë nuk ndodh për herë të parë në Bashkinë e Vaut të Dejës, por duket se është shndërruar në një normalitet.
“Anonimët” e fotovoltaikëve të Vaut të Dejës
Në 22 Dhjetor 2025, Bashkia e Vaut të Dejës shpalli “Fillimin e proçedurave për dhënie me qira per 10 (dhjetë) vite, me anë të konkurrimit publik për sipërfaqen në total 306.83 ha e ndarë në 5 lote… “Për park fotovoltaik (stacionet, objektet përkatëse etj)”.
Në 12 janar 2026, bashkia e drejtuar nga Kristian Shkreli shpalli mbylljen e procedurat dhe fituesit për 4 prej këtyre loteve. Të dhënat zyrtare tregojnë se kompanitë fituese ose janë krijuar ditën e shpalljes së procedurës së qiradhënies ose edhe një javë më pas, ndërkohë që rezulton se nuk ka pasur garë reale.
Loti I, me sipërfaqe prej 48.13 ha dhe me çmim 7.508.280 lekë në vit, u fitua nga “Enersun Park Albania”, në pronësi të Alban Tarazhi. Shoqëria fituese është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) në 24 dhjetor 2025, pra dy ditë pas publikimit të procedurës nga Bashkia e Vaut të Dejës.
Loti III, me sipërfaqe prej 103.03 ha dhe me çmim 4.128.410 lekë në vit, u fitua nga “The Valley Green Solar” shpk, në pronësi të Fato Sinaj. Shoqëria fituese është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) në 22 dhjetor 2025, pra në të njëjtën ditë me publikimin e procedurës nga Bashkia e Vaut të Dejës.
Loti IV me sipërfaqe prej 56.92 ha dhe me çmim 9.555.370 lekë në vit, u fitua nga “Albvolt Solar” shpk, në pronësi të Denald Pjetri. Shoqëria fituese është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) në 29 dhjetor 2025, pra një javë pas publikimit të procedurës nga Bashkia e Vaut të Dejës.
Loti V me sipërfaqe prej 44.57 ha dhe me çmim 6.952.920 lekë në vit, u fitua sërish nga “Enersun Park”, kompania e Alban Tarazhit, që ka fituar edhe lotin e parë të kësaj procedure.
Tashmë, kryebashkiaku I Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, shpalli edhe rezultatet e Loti II, të cilën e fitoi “Sungrid Albania”, një kompani e cila është regjistruar vetëm pak ditë para se të shpallej procedura për qiradhënien e tokës në fshatin Mnelë, për ndërtim fotovoltaikësh./Boldnews







