Ballina Aktualitet Reforma Territoriale, banorët e Dimalit sërish në protestë: Ne do të mbetemi...

Reforma Territoriale, banorët e Dimalit sërish në protestë: Ne do të mbetemi bashki!

53
0

Reforma Territoriale, e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë Dimal dhe bashkimin e saj me Bashkinë Berat, ka nxjerrë sërish në protestë banorët e Dimalit.

Me moton “Dimali mbetet Dimal. Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet”, banorët kanë kërkuar që qeveria të mos e prekë Bashkinë Dimal dhe të tërheqë propozimin për shkrirjen e saj.

“Dimali nuk duhet të preket. Dimali do të mbetet bashki”, shprehen banorët.

Sipas tyre, Dimali është një zonë me histori, tradita dhe potencial të rëndësishëm ekonomik. Banorët e lidhin historinë e saj me periudha të hershme, duke theksuar rëndësinë që ka pasur ndër vite.

Protestuesit i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama të mos e prekë Bashkinë Dimal, emri i së cilës, sipas tyre, u ndryshua në vitin 2015, nga Urë Vajgurore në Dimal, me vendimin nr. 34 të Kuvendit të Shqipërisë.

Banorët argumentojnë se bashkimi i Dimalit me Beratin do të ndikojë negativisht në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, por edhe në zhvillimin ekonomik të zonës.

Ata veçojnë veçanërisht sektorin bujqësor dhe prodhimin në sera, që shtrihet në fshatra si Kutalli, Samaticë, Drenovicë, Cukalat, Goriçan dhe zona të tjera. Sipas banorëve, prodhimet bujqësore të kësaj zone prej vitesh furnizojnë edhe tregjet ndërkombëtare.

Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë të kundërshtojnë çdo përpjekje për shkrirjen e Bashkisë Dimal.