Sindikata e Taksistëve ka dalë sot në protestë në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Ata janë shprehur se protesta organizohet për shkak të mungesës së reagimit nga institucionet përgjegjëse ndaj kërkesave të përsëritura të operatorëve të transportit taksi.
Taksistët akuzojnë Ministrinë e Transportit, Bashkëqeverisjen dhe Bashkinë e Tiranës se nuk kanë ndërmarrë masa për zgjidhjen e problematikave të sektorit.
Një nga përfaqësuesit e sindikatës në deklaratën për mediat është shprehur se nëse kërkesat nuk merren parasysh në një kohë sa më të afërt, protestat do të vijojnë dhe do të përshkallëzohen.
“Kërkesat të merren në konsideratë dhe në një kohë sa më të afërt. Në të kundërt do të vazhdojmë protestat deri sat ë plotësohen të gjitha kushtet dhe shërbimi taksi të jetë i rregullt dhe taksistët të punojnë 8 orë për turnin jo 12 orë. Nëse policia dhe shteti janë rregullatorë çdo gjë shkon si duhet, por edhe policia e rendit dhe ajo bashkiake nuk kanë asnjë rregull”, u shpreh ai.
Dhënia e licencave të reja për shërbimin taksi është një tjetër shqetësim i ngritur nga sindikata, ku kërkohet ndalimi i licencimit pa kriter duke argumentuar se rritja e numrit të operatorëve ka sjellë vështirësi për aktivitetin e taksive të licencuara.
Gjithashtu, taksistët kërkojnë largimin nga qarkullimi të mjeteve që ushtrojnë këtë aktivitet pa licencë, duke kërkuar kontrolle më të forta nga institucionet përkatëse.
Në listën e kërkesave janë edhe ulja e barrës fiskale për sektorin e transportit taksi dhe subvencionimi i aktivitetit, me qëllim lehtësimin e kostove që përballojnë operatorët.







