Ballina Europë Spanja kërkon pezullimin e TikTok-ut deri në pastrimin e platformës nga përmbajtjet...

Spanja kërkon pezullimin e TikTok-ut deri në pastrimin e platformës nga përmbajtjet e abuzimit seksual me fëmijët

63
0

Qeveria spanjolle ka kërkuar pezullimin e aktivitetit të TikTok-ut në të gjithë territorin e vendit, deri në heqjen e plotë të materialeve që përmbajnë abuzim seksual me të miturit. Kërkesa vjen pas një investigimi që zbuloi mijëra profile të dyshimta dhe video me përmbajtje të paligjshme, të cilat kishin grumbulluar dhjetëra milionë shikime.

Ministrja spanjolle e Rinisë dhe Fëmijërisë, Sira Rego, njoftoi më 10 nëntor se i ka kërkuar Agjencisë Spanjolle për Mbrojtjen e të Dhënave të ndërhyjë për pezullimin e përkohshëm të platformës.

“Rrjetet sociale nuk mund të jenë territore pa ligj”, deklaroi ministrja, duke theksuar se mbrojtja e fëmijëve duhet të ketë përparësi ndaj interesave tregtare të kompanive teknologjike.

Vendimi për të kërkuar pezullimin erdhi pas një investigimi të organizatës spanjolle Maldita.es, e cila dokumentoi 1.183 publikime me materiale të abuzimit seksual ndaj fëmijëve, që kishin regjistruar të paktën 48 milionë shikime. Hetimi identifikoi gjithashtu mbi 26 mijë profile të dyshuara se shpërndanin, kërkonin ose shkëmbenin materiale të kësaj natyre.

Sipas investigimit, reagimi i TikTok-ut ndaj denoncimeve ishte i pamjaftueshëm. Nga 50 videot e raportuara zyrtarisht nga organizata, platforma kishte fshirë vetëm pesë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e llogarive vazhdonin të ishin aktive.

Pas publikimit të të dhënave, autoritetet spanjolle zhvilluan një takim me përfaqësuesit e TikTok-ut, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të materialeve, bashkëpunim me Prokurorinë dhe një raport të verifikueshëm mbi masat e ndërmarra.

Ministrja Rego deklaroi se, nëse vendimi do të varej prej saj, TikTok-u do të ishte pezulluar që një ditë më parë.

Nga ana tjetër, kompania shprehu gatishmëri për të vijuar dialogun me autoritetet, por nuk paraqiti ndonjë angazhim konkret për pezullimin e shërbimit.

Qeveria spanjolle i është drejtuar edhe Prokurorisë për hetimin e rasteve të dokumentuara. Megjithatë, Ministria e Rinisë dhe Fëmijërisë nuk ka kompetencën të mbyllë vetë TikTok-un. Një masë e tillë do të kërkonte ndërhyrjen e autoriteteve kompetente dhe një bazë ligjore për pezullimin e përkohshëm.

Deri më 11 nëntor, platforma nuk është pezulluar në Spanjë, por kërkesa zyrtare për ndërprerjen e aktivitetit të saj ka hapur një përplasje të re mes autoriteteve evropiane dhe gjigantëve të rrjeteve sociale për përgjegjësinë e mbrojtjes së fëmijëve në internet./Reuters