Një vajzë 16-vjeçare është vrarë me thikë nga një 18-vjeçare në qytetin e Leeds në Angli, pas një konflikti që dyshohet se lidhej me një marrëdhënie dashurie mes tyre. Viktima, Chloe Dransfield, dyshohet se është qëlluar pesë herë me thikë në shpinë dhe qafë nga Kayla Smith, 18 vjeçe.
Sipas dëshmive të paraqitura në Gjykatën e Kurorës në Leeds, përballja mes dy vajzave ishte parapërgatitur dhe në organizimin e saj dyshohet se kishte rol edhe Blake Doëling, 18 vjeç, i cili kishte qenë në një lidhje me të dyja.
Prokuroria pretendon se Doëling e dërgoi Smith në vendin ku ndodhej Chloe, pavarësisht se ishte në dijeni të armiqësisë mes tyre. Madje, vetëm pak minuta para ngjarjes, 18-vjeçarja dyshohet se u kishte dërguar mesazhe personave të afërt, ku paralajmëronte se do ta godiste me thikë rivalen e saj.
Sipas prokurorit Mark McKone, në orët para vrasjes, dy vajzat kishin shkëmbyer mesazhe dhe kërcënime të vazhdueshme. Gjatë një telefonate në FaceTime, Smith dyshohet se i kishte thënë Chloe-s: “Do të të ngul thikën në fyt”, ndërsa kjo e fundit i ishte përgjigjur se nuk kishte frikë prej saj.







