Deputeti i PD-së Belind Këlliçi ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Belinda Ballukut.
Sipas deputetit deklarata e Ramës nxit edhe më shumë korrupsionin, abuzimin dhe vjedhjen. Këlliçi e akuzon Ramën si avokat zyrtar të vjedhjes dhe makutërisë.
“Edi Rama nxit dhe më shumë korrupsionin, shpallet avokat zyrtar i vjedhjes dhe makutërisë!
Edi Rama ka nxitur sot ministrat dhe zyrtarët e qeverisë së tij që të vazhdojnë abuzimin, të vijojnë me korrupsionin, pra të mos ndalen së vjedhuri, pasi është ai që do t’i mbrojë.
Kohë më parë ai qe shprehur se partia dhe ai nuk do të bëhej avokati i askujt që kryen shkelje.
Sot, ai mori sërish në mbrojtje Belinda Ballukun, e pandehur për abuzim me të paktën 1.1 miliardë euro tendera.
Por po ashtu, bëri dhe apologjinë e zyrtarëve të ndaluar për krimin e rëndë mjedisor me trafikun ilegal të mbetjeve të rrezikshme.
Duke u bërë avokat i korrupsionit, Edi Rama po tenton të mbrojë veten e tij, në një përpjekje për të mbajtur të bashkuar dhe nën kontroll organizatën kriminale që drejton.
Quan budallëk botëror hetimin dhe masat ndaj të kapurës në shpërdorim dhe në intimidim dëshmitarësh dhe flet me vlerësim për paracaktimin e fituesve, shpërndarjen e parave sipas interesave dhe zhdukjen e 50 milionë eurove vetëm me një firmë, siç ndodhi me tunelin e Llogarasë.
Kërcënimi ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që kanë guxuar të shkojnë në paradhomën e tij, shkoi sot në një nivel të ri. Ai tha se do ta zhbëjë drejtësinë e re që ka kurajon të luftojë korrupsionin e tij dhe të organizatës që drejton.
Këto janë reagimet e një Kryeministri të kapur mat në afera të rënda që kërkon ta shpallë veten mbi ligjin, të pahetueshëm, të pagjykueshëm, të padënueshëm.
Qytetarëve u lind detyra të mos e lejojnë shkatërrimin e vendit për hir të një grushti njerëzish.
Angazhimet dhe përbetimet e sotme të Edi Ramës në krah të korrupsionit dhe kundër drejtësisë, janë një thirrje më shumë që të martën të bashkohemi në shesh.
Me energji, të vendosur, me pasion e dashuri për Shqipërinë para zyrës së krimit dhe korrupsionit.
Të martën në orën 17:00”, shkruan Këlliçi.







