Ballina Kronika SPAK përfundon hetimet për Elvis Rroshin, pritet vendimi nëse çështja kalon për...

SPAK përfundon hetimet për Elvis Rroshin, pritet vendimi nëse çështja kalon për gjykim

23
0

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi. Ndërkohë, është caktuar gjyqtarja Rudina Palloj për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë lidhur me kalimin ose jo të çështjes për gjykim.

Rroshi është marrë i pandehur për veprën penale “shpërdorim detyre”. Hetimi ndaj tij nisi pas një kallëzimi të depozituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili evidentoi parregullsi në tendera gjatë periudhës kur Rroshi drejtonte Bashkinë e Kavajës.

Pak ditë pas paraqitjes së Rroshit në SPAK, ku ai firmosi mbylljen e hetimeve, prokurori Elvin Gokaj depozitoi në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkesën për kalimin e çështjes në gjykim.

Tashmë, gjyqtarja Rudina Palloj do të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë, për të vendosur nëse dosja ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës do të kalojë në proces gjyqësor.