Ballina Politika 250 milionë eurot që nuk mbërritën kurrë: Si ra mashtrimi i Ramës...

250 milionë eurot që nuk mbërritën kurrë: Si ra mashtrimi i Ramës për kreditimin e fermerëve

30
0

Në shkurt 2025, Kryeministri Edi Rama prezantoi me bujë një paketë kredie për sektorin bujqësor, duke e përshkruar si një mundësi revolucionare për fermerët shqiptarë.

Ai foli për një linjë financimi prej 250 milionë eurosh, me interes deri në 2% dhe me garanci sovrane që mbulon 70% të kolateralit — një instrument që, sipas tij, do të sillte sektorin bujqësor drejt një rritjeje të ndjeshme investimesh dhe deri në “1 miliardë euro eksport deri në 2030”.

Në fjalën e tij, Rama deklaroi:

“Kemi krijuar një linjë kredie prej 250 milionë eurosh … me normë interesi deri në 2% dhe një mbulim garancie deri në 70%.” Kjo u paraqit si një mundësi e jashtëzakonshme për fermerët dhe sipërmarrësit e vegjël të sektorit bujqësor. Por çfarë ndodhi në realitet?

Nga premtimet te shifrat: Rënia e kreditimit për fermerët

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë një panoramë krejt tjetër nga ajo e premtuar.

Në vitin 2025, bankat komerciale dhanë vetëm 26.4 milionë euro hua për bujqësinë, një shifër më e ulët se 27.2 milionë euro në vitin 2024. Pra, jo vetëm që kreditimi nuk u rrit pas prezantimit të skemës 250 milionë euro, por ai pësoi rënie.

Kontrasti mes premtimeve dhe realitetit është i fortë. Ndërkohë që u fol për një revolucion financiar në bujqësi, shifrat tregojnë se sektori vijon të mbetet i nënfinancuar dhe fermerët larg aksesit real në kredi.

Pse nuk funksionoi skema?

Sipas të dhënave zyrtare, kreditimi për bujqësinë zë më pak se 1–2% të totalit të huave bankare. Kjo tregon se problemi është më i thellë sesa një njoftim politik apo një paketë e shpallur me bujë.

1. Rreziqet dhe kolateralet

Edhe me garanci shtetërore, bankat mbeten tepër të kujdesshme në kredidhënien për bujqësinë. Informaliteti i lartë, mungesa e titujve të qartë pronësorë dhe vështirësia për të ndërtuar plane investimi që plotësojnë kriteret strikte bankare, e bëjnë sektorin të perceptohet si me risk të lartë.

2. Mungesa e informacionit dhe barrierat burokratike

Procedurat e aplikimit, kërkesat për kolateral, dokumentacioni dhe kushtet teknike shpesh janë të ndërlikuara dhe të vështira për t’u kuptuar nga fermerët. Si pasojë, shumë prej tyre nuk aplikojnë fare.

3. Propaganda politike për fushatë zgjedhore

Instrumente të tilla financiare janë parë me skepticizëm nga vetë fermerët, të cilët i cilësojnë premtimet e Ramës si mashtrime elektorale. Skema të tilla shpallen me bujë gjatë periudhave zgjedhore, por nuk prodhojnë efekt real ekonomik për fermerin.

4. Premtime pa rezultat të matshëm

Pavarësisht deklaratave për kredi me interesa të ulëta dhe garanci të larta, realiteti i shifrave tregon se fermerët nuk po përfitojnë në masën e premtuar. Rritja e kreditimit nuk u materializua, ndërsa bujqësia vijon të mbetet sektor i nënfinancuar.

Analizat e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se bujqësia është ndër sektorët me mbështetjen më të ulët në raport me peshën që ka në ekonomi dhe punësim.

Falimentimi i fshatit

Në vend që të adresojë pengesat strukturore — si formalizimi i pronësisë, ulja e burokracisë, asistenca teknike për fermerët dhe ndërtimi i mekanizmave realë mbështetës, gjë që po çon në falimentimin real të fshatit — qeveria zgjedh të promovojë një shifër të madhe financimi për të kapur titujt e mediave, po pa përfitim për të zotët e punës.

Por investimi real matet me rezultatet. Dhe rezultatet tregojnë se 250 milionë eurot e premtuara nuk u reflektuan në rritje konkrete të kreditimit për fermerët.

Sot, përballë shifrave zyrtare, skema e prezantuar si një kthesë historike për bujqësinë rezulton të jetë më shumë një operacion komunikimi sesa një reformë funksionale.

Fermerët mbeten jashtë sistemit efektiv të financimit bankar, ndërsa premtimet për miliarda në eksporte duken gjithnjë e më larg realitetit të fshatit shqiptar. Mashtrimet qeveritare reflektohen në një braktisje të përditshme të fshatit.