Këtë të mërkurë është ndarë nga jeta Xisco Quesada, i riu nga Majorka që preku rrjetet sociale duke shpjeguar përmes profilit të tij personal luftën kundër kancerit dhe duke ndërgjegjësuar për sëmundjen e tij. Ish-futbollisti, baba i dy fëmijëve, humbi jetën në moshën 28-vjeçare.
Profili i Instagramit të Xisco Quesada-s njoftoi vdekjen e tij me komunikatën e mëposhtme:
“Muajt e tij të fundit i kaloi në Klinikën e Universitetit të Navarrës, në Pamplona, ku luftoi deri në fund me guxim dhe i rrethuar nga dashuria e familjes së tij.
Ai e ktheu dhimbjen në ndërgjegjësim, historinë e tij në frymëzim dhe zërin e tij në mbështetje për shumë njerëz që po kalonin momente të vështira. Ai priti çdo mesazh, çdo shenjë afërsie dhe çdo gjest mbështetjeje me një mirënjohje të pamatë. Iku i rrethuar nga dashuria. Faleminderit të gjithëve që e shoqëruat në këtë rrugëtim. Ju kërkojmë respekt dhe dashuri për familjen tonë në këto momente aq të vështira. Do të jetojë gjithmonë tek ne”, thuhet në tekst.
Quesada, i cili vuante nga kanceri i pankreasit me metastaza në mëlçi, arriti të mblidhte më shumë se 902,000 euro nga më shumë se 44,600 donatorë. I roi nga Majorka njoftoi se do të dhuronte rreth 60 deri në 70 për qind të shumës së mbledhur për një shoqatë që hulumton kurat për sëmundjen e tij. Ndër donatorët spikatën figura si Miguel Ángel Silvestre apo futbollisti i RCD Mallorca-s, Antonio Sánchez.
ADC San Pedro, ku Xisco Quesada luajti dhe ishte shumë i dashur, deklaroi përmes rrjeteve sociale se ai “ishte pjesë e kësaj familjeje dhe lë një gjurmë që do të jetë e pamundur të fshihet”.
Federata e Futbollit e Ishujve Balearikë u shpreh se “shembulli i tij i forcës dhe qëndrimi i tij shembullor përballë fatkeqësisë do të mbeten përgjithmonë si frymëzim për të gjitha gjeneratat e ardhshme të futbollit balearik”.







