Ballina Kronika Hetimi për shqiptarin nga Saranda çon në gjobitjen me gjysmë milioni euro...

Hetimi për shqiptarin nga Saranda çon në gjobitjen me gjysmë milioni euro të Louis Vuitton

56
0

Prokurorët kanë gjobitur degën holandeze të markës luksoze Louis Vuitton me 500,000 euro për shkelje të Aktit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit.

Roli i Louis Vuitton BV u zbulua gjatë një hetimi më të gjerë për pastrim parash, të udhëhequr nga Zyra e Prokurorit Publik Kombëtar.

Sipas hetimeve kompania për një periudhe të gjatë nuk kishte kontrolluar siç duhet identitetet e klientëve që kryenin vazhdimisht blerje të mëdha me para në dorë.

“Çështja po zgjidhet nëpërmjet një urdhri penal për të lehtësuar presionin mbi kapacitetin e kufizuar të sallës së gjyqit në Gjykatën e Qarkut të Roterdamit,” thanë prokurorët në një deklaratë.

Hetimi filloi nga një rast që përfshin një të dënuar të botës së krimit, 55-vjeçarin shqiptar nga Saranda, Thanas Bako, i cili kishte mbledhur një sasi të madhe të ardhurash kriminale për pastrim parash.

Prokurorët thanë se një grua 36-vjeçare nga Lelystad më pas i përdori ato para për të blerë artikuj luksozë në dyqane, përfshirë Louis Vuitton, duke përdorur pseudonime të shumta.

Autoritetet dyshojnë se midis gushtit 2021 dhe shkurtit 2023, gruaja, e identifikuar si Bei W., shpenzoi mbi 2 milionë euro para të paligjshme. Thuhet se ajo i dërgoi çantat luksoze në Kinë në kuti kartoni për t’i rishitur, duke i maskuar të ardhurat si tregti të ligjshme.

“Kjo praktikë, e njohur si tregtia ‘Daigou’, është një metodë e transferimit të parave kriminale përmes artikujve luksozë. Provat përfshijnë mesazhe në chat, fatura dhe pamje filmike nga kamerat e sigurisë,” deklaruan prokurorët. Hetuesit gjetën gjithashtu kuti në shtëpinë e saj të përgatitura për dërgesë në Kinë.

Skema thuhet se është ndihmuar nga një person i brendshëm. Një ish-asistente shitjesh e Louis Vuitton dyshohet se e ka ndihmuar W., duke e njoftuar atë për mbërritjet e reja të çantave të shtrenjta dhe duke e këshilluar për ndarjen e blerjeve për të shmangur kërkesat ligjore për raportim.

W. përdori një strategji të qëllimshme për të shmangur zbulimin, duke e mbajtur çdo pagesë në para pak më pak se 10,000 euro, pragu i raportimit që shitësit me pakicë që duhet të njoftojnë Njësinë e Inteligjencës Financiare (FIU) deri në fillim të vitit 2026. Ajo gjithashtu përdori pseudonime të shumta dhe adresa email-i për të fshehur blerjet e saj të përsëritura në katër lokacionet zyrtare të Louis Vuitton në Holandë.

Nga 1 janari 2026, ligji holandez ua ndalon tregtarëve pranimin e pagesave me para të gatshme mbi 3,000 euro. Prokurorët theksojnë se markat luksoze kanë të njëjtin detyrim si bankat për të verifikuar klientët sipas rregullave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (Wwft).

Ndërsa Louis Vuitton e zgjidhi çështjen me një gjobë prej 500,000 eurosh, gjyqi kundër gruas 36-vjeçare, ish-anëtarit të stafit dhe një të pandehuri të tretë vazhdon ende në Gjykatën e Qarkut të Roterdamit.

Kush është Thanas Bako

Thanas Bako u dënua me 7 vjet burg në shtator 2024 nga një gjykatë në Roterdam. Ai akuzohet si bankier kriminal i nëndheshëm i qindra milionë eurove dhe ishte i përfshirë në “forma të rënda të krimit të organizuar”, sipas gjykatës.

Bako u arrestua në Athinë më 31 maj të vitit të kaluar me kërkesë të Holandës dhe ndodhet në një qeli holandeze për më shumë se një vit. Ai thuhet se ka udhëhequr një rrjet korrierësh në Holandë nëpërmjet komunikimeve kripto, duke lëvizur pothuajse një çerek miliardë euro për kriminelët midis qershorit 2020 dhe marsit 2021.

Rrjeti funksiononte nga zyra të ndryshme në Holandë, përfshirë Wateringen dhe Amsterdam. Anëtarët e rrjetit të korrierëve u dënuan me vite burg në fillim të këtij viti.

Europoli e konsideron Thanas Bakon si “një pastrues të njohur parash, që pastronte paratë e pista të kriminelëve më të mëdhenj në botë”. Ai u arrestua pas një hetimi të FBI-së, pas zbulimit të komunikimeve të tij në aplikacionin “ANOM”, ku vepronte me porosi të trafikantëve në Dubai dhe Holandë për të transferuar miliona euro nga një vend në tjetrin.

Bako thuhet se ka menaxhuar korrierë parash në Holandë nga Athina. Korrierët punonin si hidraulikë, marangozë dhe pastrues xhamash, zakonisht me precedentë të pastër penalë për të mos u vënë re. Për një tarifë të madhe, ata përdorën furgonët e tyre për të transportuar para drejt dhe nga klientët kriminelë.

Policia monitoroi korrierët ndërsa merrnin dhe dorëzonin çanta me para. Sipas Prokurorisë Publike, nën drejtimin e Thanas Bakos u mbledhën gjithsej mbi 246 milionë euro dhe u paguan rreth 248 milionë euro.

Për të vërtetuar se paratë janë transferuar realisht, përdoren ‘tokenët’. Kjo mund të jetë, për shembull, një kartëmonedhë 5 euro me një numër serial unik. Vetëm personi që posedon këtë shënim mund të mbledhë ose dorëzojë paratë.

Sipas Prokurorisë, banka nëntokësore e Thanas Bakos kishte dy “zyra”. Këto ishin magazina në Wateringen dhe Nieuw-Vennep ku paratë u numëruan dhe u fshehën.

Mesazhet e përgjuara tregojnë se Bako mbante shënim hyrjet dhe daljet e parave dhe komunikonte me kontaktet e tij për çdo pagesë që duhej “mbledhur” dhe “dorëzuar”.

Sipas dokumentarit të “Holland Crime Boulevard”, Thanas Bako kishte krijuar prej 10 vitesh një rrjet korrierësh për transport parash. Korrierët kryesisht ishin hidraulikë, marangozë dhe pastrues xhamash, të cilët nuk ngacmoheshin nga policia sepse dukeshin të padëmshëm. Furgonët kishin vende të fshehura për paratë. Prioritet për Bakon ishte që korrierët të mos kishin rekorde kriminale, pasi policia mund të identifikonte pronarin përmes targës së makinës.

Biseda e korrierëve

Klienti: “Kam një dërgesë për 2 milionë euro. Dua ta ndaj në 2 për siguri. Dy korrierë të ndryshëm, ata nuk mund ta dinë. Të dyja në të njëjtin vend. 12:00 një makinë, 12:10 një tjetër.”
Thanas Bako: “Do ta bëj diferencën 30 minuta, është më mirë. Njëri djalë nuk e kalon tjetrin. Njëri 12:00, tjetri 12:30. Dy makina. Kjo është më e sigurt për mua.”

Një vend i përafërt diskutohet dhe Thanas dërgon dy korrierë aty. Vetëm minutën e fundit klienti tregon vendin e saktë ku do të merren paratë. Ishte një restaurant i quajtur “Bruis” në Blaricum. Teksa njerëzit po hanin drekë, 1 milion euro u transferuan dy herë në secilën nga makinat në parking. Një orë pasi u morën paratë, një nga korrierët i dërgon mesazh Thanasit:

Korrieri: “Përshëndetje shok, sapo arrita. Do t’i numëroj paratë tani.”
Thanas Bako: “Faleminderit.”

Mesazhet e tjera tregojnë përqindjen që korrieri merr:
Thanas: “0.2 % komision. Transporti me vlerë 1 milion do të japë 2,000 euro.”
Korrieri: “Shumë mirë. Jam i vendosur të bëj më të mirën.”
Thanas: “Kjo është ajo që dua të dëgjoj.”

Ngjarja e datës 23.02.2021

Dy vëllezër në dy furgonë të ndarë shkojnë në një magazinë. Njëri hyn brenda, tjetri parkon jashtë. Ata nuk vunë re një furgon të parkuar para tyre. Shoferi që parkoi jashtë tentoi të hynte në magazinë, por u godit me shkelm nga një person i maskuar. Dy persona të tjerë morën peng vëllezërit, duke i detyruar të hynin në zyrën e magazinës dhe t’u jepnin atë që kërkonin pengmarrësit. Ata kontrolluan magazinën dhe një nga furgonët, por nuk zbuluan gjë. Furgoni gri i pengmarrësve, tip “Renault” me targa FN-615-ZM, u gjet më pas. Ata kishin hequr targat dhe tentuar ta digjnin, por dështuan. Një oficere policie, e cila foli në një emision investigativ, tha se viktimat nuk e kuptonin pse ishin marrë peng; ata ishin të pafajshëm dhe pengmarrësit ishin në vend të gabuar. Megjithatë, viktimat dinin çfarë donin pengmarrësit – miliona euro për Thanas Bakon. Magazina shërbente si një nga pikat e grumbullimit të parave. Një person që e mori me qira më pas tha se gjithçka ishte e siguruar mirë, me kamera dhe alarme, dhe muret e izoluar. Qëllimi ishte të numëroheshin 165,718,500 euro pa zhurmën e numëruesve të parave, që punonin orë të tëra. Kjo ishte një nga dy vendndodhjet që përdorte Thanas Bako për “bankën” e tij. Dy korrierët e tij më të besuar kryen 200 transaksione për të krijuar shumën totale, me një mesatare prej 828,000 euro për transaksion.