Ballina Lifestyle Shakira në një megakoncert falas në Rio

Shakira në një megakoncert falas në Rio

28
0

Pas Madonnës në vitin 2024 dhe Lady Gagës vitin e kaluar, Shakira do të ngjitet në skenë në plazhin legjendar të Copacabanës më 2 maj për një megakoncert falas në Rio de Zhaneiro, njoftoi qyteti brazilian.

“Shakira në Kopakabana më 2 maj”, postuan autoritetet në rrjetin social X.

Ky njoftim i jep fund javëve të shumta të hamendjeve rreth saj, ndërkohë që koncerti synon, ndër të tjera, të tërheqë turistë gjatë sezonit të ulët të majit.

Edicioni i parë i këtij eventi falas, i titulluar “Todo Mundo no Rio” (’’Të gjithë në Rio’’), u zhvillua në vitin 2024 me Madonnën, e ndjekur nga Lady Gaga vitin pasardhës.

Sipas agjencisë bashkiake Riotur, 2,1 milionë njerëz morën pjesë në koncertin e Lady Gagas, krahasuar me 1,6 milionë për atë të Madonnës.

Për edicionin e vitit 2026, kryebashkiaku i Rios, Eduardo Paes, zgjoi kuriozitetin e fansave duke postuar një video të gjeneruar nga inteligjenca artificiale në mediat sociale që e tregon atë së bashku me Shakirën, si dhe Britney Spears, Beyoncé, Justin Bieber dhe Rihanna.

Këngëtarja 49-vjeçare kolumbiane ka performuar disa herë në Brazil, veçanërisht vitin e kaluar si pjesë e turneut “Las Mujeres Ya No Lloran” (“Gratë nuk qajnë më”), i cili mori emrin nga albumi i saj i fundit, i publikuar në vitin 2024.