Ballina Kulturë Miti i Orfeut, arkeologia ngre alarmin: Po degradohet nën themelet e një...

Miti i Orfeut, arkeologia ngre alarmin: Po degradohet nën themelet e një shtëpie në Durrës

60
0

Miti i Orfeut, evolucioni i tij ndër shekuj dhe pasqyrimi në mozaikun e Durrësit u sollën në një këndvështrim të thelluar në emisionin “Odeon”, ku arkeologia dhe studiuesja Lida Miraj ndau detaje mbi kërkimin e saj të fundit dhe librin kushtuar kësaj figure mitike.

Miraj kujtoi se mozaiku i famshëm i Orfeut u zbulua në vitin 1986, poshtë themeleve të një shtëpie në Durrës, duke e konsideruar atë një nga dëshmitë më të rëndësishme të trashëgimisë antike në vend. Ajo theksoi se librin ia ka dedikuar bashkëshortit Moikom Zeqo, i cili lidhet ngushtë me zbulimin e këtij mozaiku.

Sipas saj, miti i Orfeut është një nga mitet më të hershme të antikitetit dhe shfaqet gjerësisht në artin e kohës, nga vazot e pikturuara deri te afresket dhe mozaikët.

Në paraqitjen ikonografike, Orfeu shpesh përfaqësohet me lirën në dorë, figurë që bart simbolikë të thellë shpirtërore dhe kulturore, ndërsa në interpretimet e mëvonshme ai lidhet edhe me figurën e Krishtit. Arkeologia shpjegoi se mozaikët e Durrësit datojnë në shekujt III–IV dhe përfaqësojnë një trashëgimi që kërkon mbrojtje të vazhdueshme, pasi lagështia dhe mungesa e kushteve të duhura rrezikojnë dëmtimin e tyre.

Sipas Mirajt, mozaiku i Orfeut duhet të kthehet në një pikë të vizitueshme për publikun, duke i dhënë një vlerë më të madhe kulturës dhe turizmit. Duke folur më gjerë për trashëgiminë e përbashkët ballkanike, ajo u shpreh se rajoni duhet të ketë kufij virtualë, ku kultura dhe historia të komunikojnë më lirshëm. Në këtë kuadër, Miraj vlerësoi rëndësinë e orfizmit si një rrymë që lindi herët në antikitet dhe ndikoi në zhvillimin e mendimit shpirtëror.