Një tragjedi e rëndë ka goditur rajonin verilindor spanjoll të Katalonjës, ku pesë persona humbën jetën dhe katër të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e një zjarri të shpërthyer në një pallat pesëkatësh.
Sipas agjencisë spanjolle të lajmeve EFE, e cila citon burime nga shërbimi zjarrfikës, autoritetet dyshojnë se viktimat ishin të rinj dhe disa prej tyre mund të kenë qenë të mitur.
Zjarri shpërtheu në një depo brenda ndërtesës në qytetin Manlleu, me rreth 21 mijë banorë, në rajonin Osona, në veri të Barcelonës. Sipas zjarrfikësve, për arsye ende të paqarta, viktimat nuk arritën të largoheshin nga ambienti i depos.
Policia katalanase ka nisur një hetim për të zbardhur shkaqet e zjarrit, ndërsa procesi i identifikimit të viktimave pritej të përfundonte gjatë mëngjesit, pasi disa prej trupave janë gjetur të karbonizuar.







