Pasi vlerësoi të dhënat e sedimenteve në Nepal për 6,000 vjet, ku në vitin 2015 një tërmet me magnitudë 7.8 vrau rreth 9,000 njerëz, një ekip i Shoqërisë Britanike të Antarktidës (BAS) zbuloi se katastrofa të tilla nuk kanë “cikle të parashikueshme” ose nuk godasin në “intervale të rregullta”.
“Tërmetet e mëdha ndodhin në shpërthime dhe ndërprerje të paparashikueshme”, sipas ekipit – një përfundim që sugjeron se njerëzit që jetojnë në zona me një histori fatkeqësish, duhet të jenë në një gjendje gatishmërie të vazhdueshme.
Të botuara në revistën Science Advances, gjetjet duhet të përmbysin “një supozim të zakonshëm”, se rajonet e prirura ndaj tërmeteve mund të shihen si të vonuara “për tërmetin e madh të radhës”, tha BAS.
Studiuesit krahasuan gjetjet e tyre prej gjashtë mijë vjetësh nga Himalajet e Nepalit, me “të dhënat afatgjata të tërmeteve” në vende të tilla si Indonezia, Zelanda e Re, Kili, si dhe Veriperëndimi i Paqësorit të Shteteve të Bashkuara – rajone që kanë një histori tërmetesh shkatërruese dhe vdekjeprurëse.
Në vitin 2004, një tërmet nënujor me magnitudë 9.1 ballë në brigjet e Sumatrës shkaktoi një cunami që vrau rreth 200,000 njerëz, kryesisht në Indonezi. Në vitin 1960, tërmeti më i madh i regjistruar – një magnitudë 9.5 ballë – goditi pranë brigjeve të Kilit jugor, duke vrarë mbi 1,000 njerëz. Katër vjet më vonë, një tërmet me magnitudë 9.2 ballë goditi Alaskën, duke shkaktuar rritjen e tokës deri në 25 metra në disa vende.
Evropa nuk ka qenë e përjashtuar: një tërmet me magnitudë 8.7 të shkallës Rihter shkatërroi pjesën më të madhe të Lisbonës në vitin 1755, një shekull e gjysmë para se 120,000 njerëz të vdisnin në tërmetin e Mesinës që goditi midis pjesës më të madhe të Italisë kontinentale dhe Siçilisë.
“I njëjti model u shfaq kudo: tërmetet grumbullohen në mënyrë të paparashikueshme, me periudha aktive të ndjekura nga periudha të gjata qetësie”, zbuluan studiuesit, duke shtuar se “asnjë rajon nuk tregoi modelin e rregullt, ciklik që supozojnë shumë modele të rreziqeve”.
“Tërmetet e mëdha janë po aq të rastësishme dhe të paparashikueshme, sa edhe ato më të vogla”, tha Zakaria Ghazoui-Schaus, një paleoseizmolog i BAS.
Studiuesit thanë se gjetjet duhet të kenë “implikime për përgatitjen për tërmete në të gjithë harkun e Himalajeve, nga Afganistani në Indi, Nepal, Kinë dhe Mianmar”.
Në vitin 2005, një tërmet me magnitudë 7.6 i mori jetën rreth 80,000 njerëzve në Pakistanin verior. Një tërmet me magnitudë 7.9 goditi provincën Sichuan të Kinës tre vjet më vonë, duke vrarë rreth 90,000 njerëz. Vitin e kaluar, një tërmet me magnitudë 7.7 goditi Mianmarin qendror rreth qytetit të Mandalay, me rreth 3,600 të raportuar të vdekur ose të zhdukur pas tij







