Një sistem i avancuar i inteligjencës artificiale (AI), i projektuar për të zbuluar në kohë tentativa të mundshme vetëvrasjeje, është vendosur në dhjetëra stacione hekurudhore, qendra tregtare dhe objekte publike në të gjithë Japoninë.
Sipas kompanisë zhvilluese, teknologjia ka ndihmuar tashmë në parandalimin e të paktën dy rasteve të mundshme fatale, duke treguar potencialin e saj si një mjet i rëndësishëm për ndërhyrje të hershme dhe mbrojtjen e jetës.
Sistemi është zhvilluar nga kompania Asilla Inc., me seli në Tokio, e specializuar në zgjidhje të inteligjencës artificiale për monitorimin e sigurisë.
Ai përdor algoritme të avancuara të analizës së videos për të përpunuar në kohë reale pamjet e kamerave të sigurisë dhe për të identifikuar modele sjelljeje që mund të lidhen me rrezikun e vetëvrasjes. Ndër këto sjellje përfshihen ecja e përsëritur pranë skajeve të platformave të trenave, qëndrimi i zgjatur pranë çative, kangjellave ose zonave të rrezikshme, si dhe hyrja në vende të ndaluara për publikun.
Kur sistemi identifikon një sjellje që konsiderohet e pazakontë ose potencialisht e rrezikshme, ai dërgon menjëherë një alarm tek punonjësit e stacionit, rojet e sigurisë ose personeli përgjegjës. Në disa ambiente, njoftimet transmetohen edhe përmes altoparlantëve, duke mundësuar një reagim sa më të shpejtë për të kontaktuar personin dhe për të parandaluar një ngjarje tragjike.
Sipas Asilla Inc., teknologjia ka kontribuar tashmë në shpëtimin e jetëve. Në një nga rastet e raportuara, sistemi zbuloi një burrë që kishte hyrë në një zonë të kufizuar të një objekti tregtar. Pas alarmit, një roje sigurie iu afrua menjëherë personit dhe bisedoi me të. Gjatë komunikimit, burri pranoi se kishte ndërmend t’i jepte fund jetës së tij. Ndërhyrja në kohë bëri të mundur shmangien e një tragjedie dhe orientimin e tij drejt ndihmës së nevojshme.
Në një rast tjetër, inteligjenca artificiale evidentoi një fëmijë që kishte qëndruar për një kohë të gjatë pranë një kangjelle në katin e sipërm të një qendre tregtare. Pasi morën sinjalizimin, punonjësit e sigurisë ndërhynë menjëherë dhe zbuluan se fëmija kishte shkruar një letër vetëvrasjeje.
Ndërhyrja e shpejtë lejoi që situata të menaxhohej përpara se të ndodhte ndonjë veprim i rrezikshëm. Për të rritur saktësinë e sistemit, Asilla Inc. ka bashkëpunuar që nga viti 2022 me rreth 200 qendra tregtare, stacione dhe organizata të tjera publike. Gjatë kësaj periudhe, kompania ka trajnuar algoritmet e inteligjencës artificiale duke përdorur rreth 7 milionë pamje filmike të kamerave të sigurisë.
Kjo bazë e gjerë të dhënash i ka mundësuar sistemit të dallojë më mirë sjelljet normale nga ato që mund të sinjalizojnë një krizë emocionale ose një rrezik të menjëhershëm.







