Adriatik Lapaj ka vijuar takimet me qytetarët ku ka trajtuar problematika të ndryshme që nga korrupsioni që ka përfshirë vendin si dhe protestat e vazhdueshme të Lëvizjes së tij.
Në takimin e mbajtur në Piacenza në Itali, Lapaj u shpreh se roli i emigrantëve është shumë i rëndësishëm dhe se mbështetja e tyre është domosdoshmëri. Megjithatë nuk kanë munguar edhe ‘shigjetimet’ për partitë e tjera.
Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Lapaj tha se më 1 mars do të mbahet protesta e radhës duke ironizuar se partia e tij nuk i merr njerëzit me bileta, por i bashkohen vetë nismës.
“Mos votoni për incerci, mos votoni për tifozllëk, votoni djem e vajza të reja, votoni lëvizjen tonë, janë djem dhe vajza të ndershëm. Ne në datën 1 mars kemi protestën e 5 pa ndalim. Ne nuk i marrim njerëzit me bileta e tua paguajmë. E para nuk e besojmë atë metodikë dhe e dyta nuk kemi para. Çfarë shikoni aty vijnë vetë sepse e ndjejnë me zemër. Betejës mes shkëmbit dhe dallgës e fiton dallga sepse është e vendosur. Ju e ndjeni mirë se kush e ka seriozisht këtë betejë. Ne vërtet jemi të vegjël unë e pranoj, por jemi forca e 3 politike në vend në vetëm tetë muaj dhe kemi gjithë energjinë, gjithë forcën gjithë përkushtimin për t’u kthyer në forcën e parë politike si Albini e bëri në Kosovë apo Tsipras në Greqi”, tha Lapaj.







