Shqipëria ka përfituar rreth 163.8 milionë euro, ose rreth 17.7% të totalit të financimit të parashikuar nga Plani i Rritjes, në total 922 milionë euro.
Sipas dokumentit, Shqipëria ka përfituar deri tani si parafinancim 64.5 milionë euro, ndërsa në muajin tetor 2025 u disbursuan edhe 99.3 milionë euro të tjera.
Rreth 758 milionë euro mbeten ende për t’u disbursuar, në varësi të ecurisë së reformave dhe përmbushjes së objektivave të vendosura nga Bashkimi Europian.
Projekti i parë, me të cilin Shqipëria ka përfituar financim, është “Digjitalizimi i sistemit të transmetimit të energjisë”, i cili përfshin 40 nënstacione të tensionit të lartë në gjithë vendin, duke rritur kështu kapacitetin e rrjetit dhe duke ulur humbjet. Vlera e projektit arrin në 95.3 milionë euro, ku BE kontribuon me 10.5 milionë euro. Afati i përfundimit është viti 2030.
Projekti i dytë është rikonstruksioni i Hidrocentralit të Fierzës. Investimi synon të zgjasë jetën e hidrocentralit edhe 30 vite, duke rritur efikasitetin me 4% dhe prodhimin me 10%. Faza e dytë e projektit mbështetet nga fondet e Planit të Rritjes me 13.6 milionë euro, në një investim total prej 64.2 milionë euro. Afati i përfundimit të punimeve për këtë projekt është gjithashtu viti 2030.
Projekti i tretë është linja e re Rrashbull-Tiranë dhe Unaza e Tiranës. Ndërtimi i linjës së transmetimit 400/220 kV synon zgjerimin e rrjetit për të përballuar kërkesën në rritje në kryeqytet. Investimi kap vlerën 61.1 milionë euro, ndërsa BE kontribuon me 8 milionë euro.
Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për rajonin tonë, me vlerë totale prej 6 miliardë eurosh, po zbatohet nga viti 2023 dhe përfundon në vitin 2027.
Tërheqja e fondeve nga Plani i Rritjes lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e reformave dhe me standardet e sundimit të ligjit, transparencës dhe luftës kundër korrupsionit.







