Nga Klodian Tomorri
Sa herë që Shqipëria përballet me një krizë apo katastrofë ka gjithmonë dy fajtorë. Këta janë shiu dhe Saliu. Të paktën kjo është historia, që qeveria u tregon papushim shqiptarëve prej më shumë se 13 vitesh.
Përmbytet Shkodra? Fajin e ka shiu.
Shpopullohet Shqipëria? Fajtori është Saliu.
Nuk punon hidrovori në Durrës? Fajin e ka prapë shiu
Çahet tubi në Vlorë? Eh. Saliu, Saliu
Madje ka dhe raste kur këta dy keqbërës të mëdhenj punojnë bashkë si një grup i strukturuar kriminal kundër interesave jetike të shqiptarëve, në radhë të parë, dhe qeverisë në radhë të dytë. Për shembull, shikoni shembjen e rrugëve të vendit në seri. Këtu fajtor është herë shiu dhe herë Saliu. Ose të dy bashkë njëkohësisht.
Në Maliq fajtor është shiu që ra.
Në Qafë-Plloc, fajin e ka Saliu që e projektoi.
Në Librazhd, shiu që ra dhe Saliu që e ndërtoi.
Qeveria nuk lodhet asnjëherë së na kujtuari se Shqipëria do të ishte një vend shumë më i mirë, nëse shiu do të binte me karar dhe Saliu të bëhej firar.
Dhe kjo mund të jetë e vërtetë për shumëkënd. Fundja, njerëzit por edhe popujt, përgjithësisht besojnë atë që u pëlqen. Dikujt mund t’i pëlqejë më të vërtetë të besojë se rrugët po bien nga shiu dhe urat po shemben nga Saliu. Problemi është se të dy këta janë faktorë të jashtëm. Shiu është punë e Zotit, kurse Saliu është në punën e vet.
Dhe njerëzit racionalë përpiqen të korrigjojnë ata faktorë që kanë në dorë. Në këtë rast, qytetarët shqiptarë kanë në dorë të kërkojnë ose jo llogari nga një qeveri, e cila u thotë atyre se një rrugë e ndërtuar para dy javësh me 300 milionë euro, u shemb nga shiu. A thua se ligjet e fizikës u rishkruan dhe shekujt u bënë sekonda.
Në të vërtetë kjo është një çështje, që shkon përtej shiut, Saliut e madje edhe korrupsionit. Kjo është zhbërje e mekanizmit që mbron interesin publik. Mjafton të shohësh copëzat e përgjimeve që transkriptohen nëpër dosjet e SPAK.
Në to ka raste plot se si ndërtuesit janë dhe projektues edhe supervizorë, e madje edhe certifikues të veprave, që ndërtojnë vet. Me pak fjalë, këta projektojnë vet ose përmes kompanive të tyre satelite, ndërtojnë, mbikqyrin me supervizorë që i caktojnë vet dhe në fund çertifikojnë veprat e tyre me rryshfetet në institucione. Pas dy javësh rrugët e inauguruara me dajre, shemben si kështjella rëre.
Kjo është papërgjegjshmëri ekstreme, e cila në vitet e fundit është bërë normë.
Shqiptarët paguajnë mesatarisht 300 milionë euro në vit për ndërtim rrugësh. Por praktikisht e gjithë politika e infrastrukturës sot po bëhet nga kompanitë private. Ky është mirëfilltazi komodifikim i sigurisë publike. Por siguria publike është e patregtueshme. Fitimi është i privatit. Siguria është gjithmonë e shtetit.
Kjo është e vërteta e rrugëve që shemben nga shiu. Interesi publik ka mbetur jetim. Pra, nuk janë rrugët ato që janë shembur, por shteti.
Por fatkeqësisht përralla do të vijojë. Derisa shiu dhe Saliu t’i kenë rrëzuar të gjitha rrugët dhe t’i kenë përzenë të gjithë shqiptarët në kurbet.







