Ballina Opinion Nga Tërmeti te Tenderi

Nga Tërmeti te Tenderi

79
0

Nga Pano Ceka

Në përgjigje të tërmetit shkatërrues të nëntorit 2019, kur Durrësi ishte ende nën pluhur dhe njerëzit nën traumë, u shpall me solemnitet një “zgjidhje afatgjatë” për zhvillimin e qytetit. Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ofroi vizion, plan, model. Fjalë të mëdha për një qytet që ende po numëronte dëmet.

Ndërkohë që projektet prezantohen me grafika elegante dhe terma ndërkombëtarë, banorët e zonës historike përballen me realitet më pak estetik: shpronësime, pasiguri, shtëpi që rrezikojnë të zhduken dhe një heshtje institucionale që tingëllon më fort se çdo premtim.

Durrësi, na thuhet, ka rëndësi strategjike: port, turizëm, histori 3000-vjeçare. Dhe pikërisht për këtë arsye duhet “revitalizuar”. Ironia qëndron këtu: qyteti që ka mbijetuar perandori, pushtime dhe tërmete, tani duhet shpëtuar nga… vetja e tij. Nga banorët e tij. Nga shtëpitë e tij të vjetra.

Projekti TID prezantohet si motor turizmi dhe zhvillimi ekonomik. Por për shumë durrsakë, ai duket si kapitulli i radhës në librin e gjatë të “transformimeve” që Shqipëria njeh shumë mirë: nisje madhështore, deklarata ambicioze, kantier i hapur, durim i pafund nga qytetarët.

E gjithë Shqipëria duket si një ekspozitë permanente vinçash dhe skelash. Çdo qytet ka një projekt “ikonik”. Çdo qendër ka një rikualifikim. Çdo shesh ka një vizion. Por qytetari? Ai zakonisht ka vetëm njoftimin për zhvendosje.

AADF flet për Plan Menaxhimi të Integruar. Term teknik, tingëllon serioz. Por për ata që jetojnë prej brezash në atë zonë, “menaxhimi i integruar” përkthehet si pasiguri e integruar. Ndërsa flitet për restaurim trashëgimie, rrezikojnë të zhduken pikërisht shtresat njerëzore që e kanë mbajtur gjallë atë trashëgimi.

Projektuesit premtojnë një model të suksesshëm TID. Por suksesi për kë?

Për turistin që do të shëtisë në një qendër të kuruar estetikisht?

Për investitorin që do të shohë rritje vlerash?

Apo për familjen që duhet të lërë shtëpinë ku ka jetuar për dekada?

Na thuhet se Durrësi do të vendoset në hartën e destinacioneve europiane. Sikur qyteti të mos ketë ekzistuar më parë. Sikur amfiteatri të ketë pritur projektin për të marrë vlerë. Sikur historia të fillojë me prezantimin PowerPoint.

Mundësitë ekonomike janë fjala kyçe. Por përvoja na ka mësuar se në Shqipëri “mundësitë” shpesh qarkullojnë lart, ndërsa faturat zbresin poshtë.
Durrësi nuk është një skenografi për turizëm sezonal.

Nuk është një render 3D.

Nuk është një konkurs idesh urbane.

Është qytet me plagë reale, me njerëz realë, me kujtime që nuk kompensohen me tabela vlerësimi prone.

Revolta nuk është frikë nga zhvillimi. Është lodhje nga zhvillimi që vjen gjithmonë me kosto për të njëjtët njerëz. Është mosbesim i ndërtuar nga përvoja.

Sepse trashëgimia nuk është mall që shembet për të bërë vend për një tjetër kantier “transformues”.

Dhe qyteti nuk është projekt.

Është shtëpi.