Ballina Politika DW: Shkarkimi i Ballukut mes presionit të drejtësisë dhe vendimit politik!

DW: Shkarkimi i Ballukut mes presionit të drejtësisë dhe vendimit politik!

81
0

Kryeministri Edi Rama njoftoi ndryshimin e shtatë ministrave, duke nisur me largimin e Belinda Ballukut nga posti i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe të Energjisë.

Pas botimit në Fletoren Zyrtare, numri dy i qeverisë do të jetë Albana Koçiu, e cila lë postin e ministres së Brendshme. Në krye të Ministrisë së Brendshme emërohet Besfort Lamallari, aktualisht ministër i Drejtësisë, ndërsa këtë të fundit do ta pasojë Toni Gogu.

Enea Karakaçi merr drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë, duke zëvendësuar Ballukun.

Elisa Spiropali largohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe në vend të saj emërohet Ferit Hoxha, i cili ka shërbyer si përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara nga viti 2009 deri në vitin 2015.

Pjesë e kabinetit nuk do të jetë më as ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu. Në vend të tij emërohet Ermal Nufi. Ndërsa në postin e ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin është vendosur Eriona Ismaili.

Ndryshimet vijnë vetëm gjashtë muaj pas votimit të kabinetit “Rama 4” në Kuvendin e Shqipërisë.

Balluku mes presionit të drejtësisë dhe vendimit politik

Largimi i Belinda Ballukutvjen pas një përplasjeje disa mujore me organet e drejtësisë. Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), me kërkesë të SPAK-ut, vendosi pezullimin e saj nga detyra në kuadër të një hetimi për procedura prokurimi publik.

Vendimi u kundërshtua nga mazhoranca dhe çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila la në fuqi masën e pezullimit. Ndërkohë, SPAK i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit te Ballukut për të vijuar me procedurat penale ndaj saj.

Gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar, kryeministri Rama deklaroi se do të presë raportin e Këshillit të Mandateve përpara se të shprehet përfundimisht lidhur me kërkesën e SPAK-ut.

Argumentet e shumicës socialiste do të përfshihen në një raport që po hartohet nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim dhe më pas të dërgohet në Kuvend për votim.

Opozita në protestë, kabineti nën trysni

Prej disa muajsh, opozita shqiptare ka organizuar një seri protestash kombëtare, me kërkesat kryesore largimin e Ballukut nga qeveria, e më tej rrëzimin e kabinetit “Rama”. Protestuesit kanë paralajmëruar një tjetër tubim këtë të shtunë (28 shkurt).

Ndërkohë, largimi i ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu vjen në një moment kur Forcat e Armatosura janë angazhuar në juglindje të vendit, pas shembjes së aksit “Librazhd – Pogradec”, që prej më shumë se pesë ditësh ka izoluar këtë pjësë të vendit.

Në riformatimin e kabinetit nuk janë prekur nëntë ministri. Mes tyre mbetet në detyrë edhe ministrja për Inteligjencën Artificiale, “Diella”, e cila gjithësesi po përballet me një padi nga aktorja Anila Bisha. Kjo e fundit kërkon dëmshpërblim prej 1 milion eurosh për përdorimin e imazhit dhe zërit të saj në krijimin e avatarit ministror pa pëlqimin e saj./DW