Ballina Opinion Me shkarkimin e Spiropalit, a ra Ura e Brezave në PS?

Me shkarkimin e Spiropalit, a ra Ura e Brezave në PS?

114
0

Nga Klevis Bakillari

Shkarkimet s’mund të jenë lëvizje rutinë. Mbartin peshë simbolike dhe sinjale politike më të thella. Rasti i Elisa Spiropalit, është një prej tyre; jo për emrin, por për atë që ajo përfaqëson në arkitekturën e brendshme të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Prej vitesh, PS ka artikuluar fort idenë e rigjenerimit, apo atë që mund ta quaj “urës së brezave”: një kalim i natyrshëm nga brezi i tranzicionit drejt një lidershipi më të ri, më energjik dhe më të artikuluar publikisht. Spiropali është ndër figurat që mishëron këtë tranzicion; me profil të qartë politik, me përvojë institucionale dhe me aftësi përballjeje në debat publik. Një figurë me identitet të konsoliduar brenda partisë.
Pikërisht për këtë arsye, shkarkimi i saj ngre pikëpyetje legjitime. A u vlerësua realisht potenciali i saj politik? Diplomatik? A u menaxhua ky tranzicion me vizion afatgjatë, apo me kalkulim afatshkurtër? Sepse kur figura me peshë të brezit të mesëm spostohen pa një narrativë të qartë meritokracie, mesazhi që dërgohet tek brezi i ri është i ftohtë: rritja nuk garanton domosdoshmërisht vazhdimësi.
Kritika këtu nuk është emocionale, por strukturore. Një parti e fortë nuk ka frikë nga figurat me profil të lartë; përkundrazi, i kultivon ato si kapital politik. Potenciali i Spiropalit ;aftësia për komunikim, përballja direkte me kundërshtarët, përvoja në poste kyçe ; përbënin një aset që forconte pluralitetin e brendshëm dhe energjinë përfaqësuese të PS-së dhe qeverisë në selitë diplomatike ndërkombëtare. Humbja ose zbehja e këtij potenciali nuk është çështje individi, por çështje modeli.
Nëse ura e brezave do të funksionojë realisht, ajo duhet të mbështetet mbi besimin se energjia dhe kompetenca shpërblehen me hapësirë reale për ndikim.
Prandaj pyetja nuk është vetëm nëse “ra ura e brezave?”. Pyetja është nëse PS po investon seriozisht tek ata që përfaqësojnë të ardhmen e saj politike. Dhe në këtë debat, figura e Elisa Spiropalit mbetet një provë konkrete e mënyrës se si partia zgjedh të trajtojë potencialin e vet më premtues.