Ballina Kuriozitete Shkrimi mund të jetë 40 mijë vjet më i hershëm se sa...

Shkrimi mund të jetë 40 mijë vjet më i hershëm se sa mendohej, çfarë kanë zbuluar arkeologët në Gjermani

90
0

Historia e shkrimit të mendimeve dhe ndjenjave mund të jetë dhjetëra mijëra vjet më e vjetër se sa besohej më parë, duke habitur arkeologët që bënë këtë zbulim.

Studiuesit kanë dalluar modele kuptimi në vijat, prerjet, pikat dhe kryqet e gdhendura mbi objekte si dhëmbë mamuthi, të vjetra deri në 45 mijë vjet, në disa shpella në Gjermani.

Tradicionalisht, historianët e datojnë shkrimin e parë me shenja proto-kuneiforme, të krijuara rreth 5 mijë vjet më parë në Irakun e lashtë, ose në Mesopotami. Kuptimi i saktë i simboleve të gjetura në Gjermani mbetet ende mister.

Objektet i përkasin periudhës pak para se Homo sapiens të zhvendosej në Evropë nga Afrika, ku ndërvepronte me Neandertalët. Deri tani besohej se shkrimi u zhvillua në Mesopotami rreth vitit 3000 p.e.s., e më pas hieroglifet në Egjipt dhe më vonë në Kinë e Mesoamerikë.

“Sekuencat e shenjave të epokës së gurit janë një alternativë e hershme ndaj shkrimit,” thotë prof. Christian Bentz nga Universiteti i Saarland, autor i studimit të ri.

Sipas studiueses Ewa Dutkiewicz nga Muzeu i Parahistorisë dhe Historisë së Hershme në Berlin, puna sugjeron se njerëzit e epokës së gurit ishin po aq të zgjuar sa njerëzit modernë. “Deri tani kemi vetëm prekur sipërfaqen e asaj që mund të gjendet në sekuenca simbolesh mbi një shumëllojshmëri artefaktesh,” shton ajo.

Ekipi analizoi mbi 3 mijë simbole në 260 objekte për të zbuluar atë që e quajnë “DNA e shkrimit”. Disa prej objekteve vijnë nga një sistem shpellash 37 km të gjatë, i quajtur Lonetal, në Baden-Württemberg, Gjermania jugore.

Në një mamuth të vogël të gdhendur nga dhëmbi, studiuesit analizuan me kujdes rreshta kryqesh dhe pikash. Ndërsa në një artefakt të quajtur “adorant” nga shpella Geißenklösterle në luginën Achtal, identifikuan rreshta pikash dhe prerjesh mbi një pllakë fildishi që paraqet një krijesë gjysmë-luan, gjysmë-njeri.

Ata besojnë se renditja e shenjave, veçanërisht pikat në pjesën e pasme, tregojnë se këto modele shërbenin si komunikim. Studiuesit mendojnë se njerëzit e epokës së gurit i gdhendnin me qëllim këto simbole për të përcjellë mesazhe, kuptime dhe mendime.

“Rezultatet tona tregojnë gjithashtu se gjuetarët e mbledhësit e epokës paleolitike zhvilluan një sistem simbolesh me dendësi informacioni të krahasueshme statistikisht me tabelat më të hershme proto-kuneiforme nga Mesopotamia e lashtë, plot 40 mijë vjet më vonë,” thotë Bentz, citon BBC.

Çelësi për të gjetur kuptimin qëndron te dendësia e simboleve. Ata gjetën përsëritje të lartë të shenjave dhe parashikueshmëri në simbolet pasuese, “të krahasueshme me shenjat proto-kuneiforme shumë më të vonshme,” sipas Bentz. Modelet më të dendura u gjetën në figurina sesa në vegla.

Ekipi thotë se kjo tregon se komunikimi i informacionit ishte shumë i rëndësishëm për njerëzit paleolitikë. “Ata ishin mjeshtër të aftë. Mund të kuptosh se i mbanin objektet me vete. Shumë prej tyre përshtaten shumë mirë në dorë, me madhësinë e duhur për pëllëmbën,” thotë Dutkiewicz.