Ballina Kulturë Vepra dhe misioni i Padër Zef Pllumit në librin e Gjon Markut

Vepra dhe misioni i Padër Zef Pllumit në librin e Gjon Markut

82
0

Nga Prof. Dr. Tefë Topalli

Françeskani tjetër (pasi Gjon Marku ka shkruar libër edhe për Padër Gjergj Fishtën) (shuguruar në Urdhrin e të Vobektit të Asizit pas Luftës II Botërore), të cilit Gjon Marku i kushton një studim me treguesit e një monografie, është P. Zef Pllumi, në librin “Ky rrëfimtar i shpirtrave njerëzorë”. (1) Trajtesa na tërheq edhe prej faktit se me figurën letrare dhe analizën e gjuhës së tij, në letërsinë shqiptare, është marrë edhe prof. Sabri Hamiti, për të cilin ka njoftime dhe citime edhe autori ynë. Me shumë nderim e simpati, mund të shprehemi se shkrimtari dhe studiuesi Gjon Marku shfaq një guxim shkencor, kërkon të thotë fjalën e tij me dinjitet dhe kompetencë të plotë, ashtu siç e ka njohur ai dhe ka receptuar veprën e tij.

Trajtesa ka disa krerë, duke filluar me temën “Padër Zef Pllumi në zemër kishte dhimbjen dhe dëshirën për ta fituar dinjitetin”, gjatë të cilëve jepen mjaft ndjesi për fatin e njeriut në luftë midis së mirës dhe së keqes, ruajtjen e parimeve njerëzore, kujtesën dhe harresën e vuajtjeve dhe të së keqes, por përherë duke falur, asnjëherë duke ushqyer hakmarrjen e urrejtjen. Të gjitha këto mbresa autori ynë i ka nga njohja e drejtpërdrejtë me klerikun e vuajtur dhe të çliruar tashmë nga e keqja, kur edhe i dhuron librat, në këmbim të një botimi për Mirditën.

Që në takimin e parë, ai e karakterizon:

“Padër Zef Pllumi natyrisht që ishte një njeri me karakter të fortë, i paepur dhe që nuk dinte të tërhiqej para vështirësive të natyrave të ndryshme, edhe pse kishte qenë dëshmitar, kishte vuajtur dhe jetuar në mënyrën më ekstreme periudhën më të mirë të jetës së tij në atë periudhë të errët të historisë së Shqipërisë. Ai ishte një misionar i shpirtit njerëzor, pikërisht sepse ai, në çdo rrethanë, deri në fund të jetës së tij, mbeti në shërbim të njerëzve, pa e humbur besimin te Krijuesi, në shërbim të misionit dhe besimit të tij para Tij.” (2)

Është me interes që Gjon Marku nuk kalon pa i vjelë një intervistë për Mirditën (f. 24–34), ku pasqyron gjithë njohjen që ka ky françeskan për klerikë të zonës së Mirditës, të cilët ose kanë qenë prej andej me origjinë, ose kanë shërbyer për kohë të gjatë nëpër fshatra të krahinës. Ai jep të dhëna për dom Prend Sulin, dom Zef Skanën, dom Nikollë Kimzën dhe dom Ambroz Marlaskajn; për secilin, ndërkohë, tregon edhe faktin se ishin marrë me shkrime dhe studime gjuhësore e folklorike.

Edhe kujtimet që françeskani Pllumi për P. Sh. Gjeçovin ia jep me shumë respekt… Lexuesit do t’u bëjë përshtypje se intervistuesi, për klerikun e vuajtur dhe dëshmitarin e gjallë të kalvarit komunist, mendon dhe gjen pyetje për të zbuluar të dhëna që nuk i kanë sjellë të tjerët ndër 180 zëra që ka ftuar në intervistë brenda pesë librave të kësaj gjinie.

Sepse një pjesë e madhe janë bazuar në veprat e tyre, ndërsa At Zefi përcjell karakterizime të drejtpërdrejta nga njohjet, kontaktet dhe vitet e bashkëvuajtjes së tij në kampet e vuajtjes çnjerëzore.

Në intervistë pasqyrohen veprimtari atdhetare të klerikëve gjatë Rilindjes Kombëtare, për kohën e Pavarësisë; sjell të dhëna nga njohja që ka pasur për dom Prend Sulin, shkrimet e të cilit duhen kërkuar, sepse ai ia njihte në rininë e tij studentore; kështu edhe për Imzot Zef Gjinalin (ish-ipeshkëv i Sapës), për dom Nikollë Kimzën (të dy mirditorë), për dom Dodë Kolecin dhe shoqërinë “Bashkimi” të Abatit të Mirditës, etj. At Zefi di të tregojë e të shpjegojë lëvizjen për liri e pavarësi të Dedë Gjo Lulit, për derën e Gjomarkajve; flet për pozitën dhe qëndrimin e atdhetarit L. Gurakuqi në Komisinë Letrare dhe në shoqërinë “Bashkimi”; ai gjykon lidhur me misionin e klerikëve të huaj në raport me ata vendës; edhe për Kanunin dhe mbledhësin e tij, At Sh. Gjeçovin, françeskani ka mendimet dhe vlerësimet e veta. At Z. Pllumi është aq realist dhe bashkëkohor, sa në intervistën e tij thyen edhe tema tabu për një klerik katolik, siç gjejmë në segmentin:

“Brezi i ri, në fakt, [është] ai që siguron ardhmërinë e kombit, Kishës, kulturës e gjithçkaje. A mund të fajësohet brezi i ri? Nga një anë po, nga një anë jo. Nuk mund të fajësohet pse gjendemi në një periudhë tranzicioni. Jemi trashëgimtarët e një 50-vjeçari komunist, i cili është munduar të shkatërrojë mbi të gjitha njeriun nga të gjitha anët, nga pikëpamja fetare po se po, zakonore, familjare, pra në të gjitha drejtimet. Prandaj nuk mund të pretendohet se sot mund të krijohet një djelmëni, e cila të jetë e frymëzuar me idetë fetare e kombëtare. Është edhe një punë tjetër, që klerikët gjithmonë kanë qenë të pakët përgjithësisht. Po të ishte një gjë e zakonshme, do të kishim një ushtri klerikësh.

Gjithmonë klerikët, në të gjithë botën, kanë qenë pak, pse vokacioni ose thirrja për t’u bërë prift ka sakrificat e veta shumë të mëdha. E pra, njerëzit në përgjithësi sot janë dhënë pas pasurisë, pas qejfit. E ai që bëhet prift konsiderohet jashtë radhëve. Gjithmonë ka qenë jashtë radhëve. Megjithatë, mendoj se në të ardhmen ka me gjetë shtratin e vet ky lum i turbullt që ka përfshirë këtë popull. E atëherë mund të mendohet se Zoti përpiqet të gjejë njerëzit e vet. Por kjo do kohë për të ardhur, pse ky popull duhet të ngopet një herë me pasuri e me horllëk e pastaj t’i vërë gishtin kokës e të mendojë se, veç kësaj, është edhe qielli…”

Një analizë të imët na vjen prej Gjon Markut për bllokun poetik të P. Zefit, një e dhënë jo aq e njohur për lexuesin tonë. (3)

Ndonëse i vuajtur dhe i nëpërkëmbur për kohë të gjatë nga lufta që i është bërë klerit katolik, P. Zefi kishte jetuar për të treguar, si një mision hyjnor e providencial, për të dëshmuar të kaluarën dhe për të shikuar drejt së ardhmes.

Gjon Marku e di se Eposi shqiptar ishte mbledhur nga etërit e Urdhrit fetar, nga françeskanët e famshëm At’ B. Palaj dhe At’ D. Kurti; prandaj ka sjellë mendime dhe vlerësime për këtë thesar të jashtëzakonshëm që ka gjenia e popullit tonë. Për këtë pasuri kanë folur e shkruar Ramadan Sokoli, Lambertz-i, Gustav Meyer-i, Desnickaja, etj. Ndërsa për Gj. Fishtën, që e ka njohur në rininë e tij, kur kishte qenë student seminari, i kujton një thënie karakterizuese të Max Lambertz-it, i cili paskësh qenë shprehur:

“Gjergj Fishta, me mprehtësi, mori me mend mënyrën e lidhjes së epeve homerike. Ai ishte homerist. Ai nuk i bashkoi të renditura në një tërësi epet e shkurtra (lexo: këngët), të cilat qenë për ushqim shpirtëror të rinisë, siç dëshironin të shpjegonin përkrahësit e teorisë së çështjeve homerike”…

Eposi ynë, pohon ai, është krejtësisht legjendar, pa kurrgjë historike, krejt mitologjik… Këngët e Kreshnikëve ishin veçori e malësorëve të Malësisë së Madhe ose të Lekëve dhe këto fise, gjithnjë sipas tij, janë: Hoti, Gruda, Triepshi, Shkreli, Kelmendi (Vukli, Selca, Nikçi, Boga), Kastrati, si dhe Nikaj-Curraj, Krasniqja e Bytyçi, që janë Shkrel. Sipas tij, këto këngë nuk këndoheshin në Zadrimë, as në Pukë, as në Mirditë dhe as në Bregun e Bunës.” (4)

Pjesë me interes nga jeta dhe formimi mendor, intelektual, klasik e modern i At Zefit gjejmë në sythet “Kritik i ashpër, por i drejtë”, f. 79, “Vepra e Padër Zef Pllumit”, f. 89; po ashtu edhe poezia, proza dhe tregimtaria e tij në formë kujtimesh.

Vepra madhore e P. Z. Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, zë një hapësirë të mirë të këtij studimi, një vepër që ka pasur lexues të shumtë dhe disa përkthime në mjaft gjuhë perëndimore të lëvruara të kohës sonë.

Redaktori dhe autori i Parathënies, prof. dr. Aurel Plasari, shënon për këtë vepër të rrallë të letërsisë sonë:

“Rrno vetëm për me tregue na bën të mendojmë se sa e vështirë është ‘të vlerësosh’ përmbajtjen historike të një gjysmë shekulli shqiptar… Kam bindjen se një shumice shqiptarësh do t’u hyjë në punë kjo dëshmi për ta kuptuar se mohimi i së kaluarës – kulti i harresës – është një nga mënyrat më perfide për të përligjur a posteriori gjithë sa ka pasur kriminale një regjim.”

Ndërsa shkrimtari ynë i madh I. Kadare ka shkruar:

“Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për të ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët e, po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt, për të ka nevojë ndërgjegjja jonë.” (6)

Për këtë vepër madhore, të njohur brenda dhe jashtë vendit me përkthime në gjuhë të huaja, Gjon Marku del në një përfundim interesant, që i përket gjithë shkrimtarisë së françeskanit Pllumi:

“Librat e Padër Zef Pllumit ndërkohë vijnë edhe si një sprovë hyrëse, që bëjnë të mundur të rikalojmë në kujtesë reflektimet që zbërthejnë elementet e një periudhe më ekstreme, e cila ndërtohet mbi filozofinë e dhunës dhe diktaturës shtetërore. Veprat e Padër Zef Pllumit janë libra ku jeta ka përplasjet e saj me vdekjen, me fundin, me pengjet e së shkuarës, me përpjekjen dhe luftën e paepur për të mos u tjetërsuar; dhe me mënyrat e të përshkruarit të ngjarjeve dhe momenteve, na bëjnë ‘bashkëmendimtarë’ të tij, teksa rreh çështjet e kohës, të kujtesës, të përgjegjësisë, të rrëfimit të thukët e ngjethës, ku thotë shumëçka falë gjuhës së përdorur. Ai ndjek rrugën më të vështirë, që kërkon mjeshtëri të madhe, për të arritur synimin e tij në librat memuaristikë.”

Literaturë

1.      Gjon Marku, Ky rrëfimtar i shpirtrave njerëzorë, EMAL, Tiranë, 2024 (150 faqe).

2.      Po ai, po aty, f. 18–19.

3.      Po ai, po aty, f. 32–33.

4.      Po ai, po aty, f. 75–76, 69.

5.      Po ai, po aty, f. 75–76, 69.

6.      Po ai, po aty, kopertina e fundit e librit.