Ballina Ekonomia Shqipëria, një nga vendet me varësinë më të lartë nga turizmi në...

Shqipëria, një nga vendet me varësinë më të lartë nga turizmi në botë, e dyta në Europë

91
0

Shqipëria renditet një nga vendet që varet më shumë nga turizmi për ecurinë e ekonomisë, sipas një grafiku të publikuar nga Visual Capitalist, i cili i referohet të dhënave të Organizatës Botërore të Turizmit për të ardhurat nga turizmi dhe Prodhimit të Brendshëm Bruto nga FMN.

Me të ardhurat nga turizmi, që sjellin gati 22% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), Shqipëria renditet në vendin e 16 në botë. Në Europë, ajo renditet e dyta, pas Maltës (26.4% e PBB-së), duke ia kaluar madje dhe Malit të Zi (19.8%).

Vitet e fundit, vendi ka shënuar një bum turistik, me hyrjet e të huajve që i kaluan 12 milionë në vitin 2025, sipas të dhënave të tjera të INSTAT. Ardhja e turistëve ka nxitur investime në hoteleri, ka krijuar mundësi për individët që të japin shtëpitë me qira ditore, më të ardhurat që arritën mbi 130 milionë euro vitin e kaluar, sipas të dhënave nga AirDNA. Turizmi ka nxitur dhe një sërë aktivitetesh zinxhir, nga tregtia, te shërbimet, baret e restorantet.

Megjithatë, varësia e lartë nga turizmi e lë vendin zbuluar ndaj goditjeve të paparashikuara, si psh konfliktet globale, që ulin lëvizshmërinë e turistëve, siç po ndodh tani, apo nga bllokime të tilla si pandemia, që goditi rëndë turizmin kudo në botë.

Sipas  artikullit të Visual Capitalits, turizmi është një industri globale madhore dhe pritet të kontribuojë me rreth 11.7 trilionë dollarë në PBB-në botërore në vitin 2025, ose afro 10% të prodhimit ekonomik global. Megjithatë, rëndësia e tij ndryshon shumë nga një vend në tjetrin. Për disa shtete turizmi është një burim shtesë të ardhurash, ndërsa për të tjerët është shtylla kryesore e ekonomisë.

Në krye të listës renditet Makao, ku shpenzimet e vizitorëve arritën në 32.4 miliardë dollarë, ekuivalente me 70.8% të ekonomisë së vendit. Pas tij vjen Aruba me 69.7%, ndërsa Maldivet (68.1%) dhe Andorra (66.5%) gjenerojnë rreth dy të tretat e prodhimit ekonomik nga turizmi. Shën Luçia renditet e pesta, me turizmin që përbën 53.8% të PBB-së.

Modeli është i qartë: vendet e vogla ishullore dhe ekonomitë e orientuara drejt resorteve dominojnë renditjen. Tregjet e vogla të brendshme dhe mungesa e industrive të mëdha bëjnë që vizitorët ndërkombëtarë të jenë burim kryesor i valutës dhe punësimit.

Në anën tjetër të listës, SHBA renditet në vendin e 151-të, ku turizmi ndërkombëtar përbën vetëm 0.86% të PBB-së, megjithëse të ardhurat absolute arrijnë në 251.6 miliardë dollarë.

Vendi më pak i varur nga turizmi është Papua Guinea e Re, ku turizmi përbën vetëm 0.01% të ekonomisë. Pas saj renditen Guinea dhe Angola, me rreth 0.02% të PBB-së. Në total, 47 vende gjenerojnë më pak se 1% të PBB-së nga turizmi.

Zona me varësi më të lartë përfshijnë edhe Amerikën Qendrore, Europën Lindore dhe Azinë Juglindore, që konsiderohen destinacione të përballueshme për udhëtarët.

Megjithëse përfitimet ekonomike janë të dukshme, ekonomitë e varura nga turizmi janë shumë të ndjeshme ndaj goditjeve globale. Për shembull, PBB reale e Arubës ra me 24% në vitin 2020 kur pandemia ndaloi udhëtimet, duke goditur fort bizneset dhe qytetarët, megjithëse më pas u rikuperua. Nga ana tjetër, mbiturizmi mund të mbingarkojë komunitetet lokale dhe të krijojë tensione sociale./ Monitor.