Ballina Ekonomia “Duan të më bllokojnë”, grantet e IPARD përfundojnë në gjykatë, beteja për...

“Duan të më bllokojnë”, grantet e IPARD përfundojnë në gjykatë, beteja për kthimin e fondeve

102
0

Juristi i Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural këmbënguli para gjyqtares Gentiana Xhelili në Tiranë se shtetasi T. A. (inicialet e ndryshuara) administrator i një shoqërie në Lundër (FAKTOJE disponon të dhënat e plota, por nuk i bën publike sa kohë çështja është në proçes gjyqësor) përfitoi fonde nga Bashkimi Europian, konkretisht nga programet e IPARD, në shkelje të ligjit.

Një nga argumentet që sjell përfaqësuesi juridik është “se përfituesi i IPARD nuk respektoi rregullat”

Gjykata Administrative u vu në lëvizje nga AZHBR, më 22 shtator 2025, me një ankesë nga e cila kërkohet që shoqëria në fjalë duhet të kthejë shumën, që përfitoi nga IPARD.

AZHBR mbrohet me faktin se “është institucioni përgjegjës për administrimin e fondeve të programeve për bujqësinë, ofron shërbime të drejtpërdrejta për fermerët vendas, dhe është gjithashtu përgjegjës për fondet e bujqësisë të Bashkimit Europian”

Gjyqi ndodh në kohën kur fondet janë “ngrirë” pas hetimeve të OLAF-it.

Qeveria

Hetimet vijojnë ende në Shqipëri, dhe qeveria përmes ministrit të Financave, Petrit Malaj, njoftoi pak kohë më parë se, “fondet e IPARD 3 do të hapen gjatë 2026”.

“IPARD ka qenë i suksesshëm si në fazën e parë, ashtu edhe në të dytën. Për shkak të disa parregullsive të konstatuara në fazën e dytë, Komisioni Evropian nëpërmjet DG Agri kërkoi një sërë masash që duhej të përmbusheshin nga qeveria shqiptare. Këto masa janë në proces dhe jam shumë optimist se do të përmbyllen me sukses. Më shumë detaje për këtë çështje do t’i japë ministri i linjës, por mund të them se IPARD III do të hapet gjatë vitit 2026 dhe në varësi të diskutimeve dhe masave që ka bërë qeveria shqiptare, ky program besoj do jetë një kontribut shumë i madh për bujqësinë shqiptare“.

Gjyqet

Megjithatë, në dyert e drejtësisë, po hapen një e nga një dosjet mbi pretendimet se nuk janë respektuar kushtet e granteve të IPARD-it.

Për të zgjidhur konfliktet, me palë nga njëra anë AZHBR që kryen auditimet dhe nga ana tjetër fituesin e granteve, janë angazhuar dy gjykata administrative, e para në Tiranë dhe e dyta në Lushnjë.

Tirana

Në kryeqytet, në një nga paditë e hapura prej 17 shkurtit 2024, gjykata ngarkoi një ekspert të pavarur për të hetuar se çfarë investimesh kishin ndodhur realisht në një nga fshatrat e Roskovecit mbas mbështetjes me grante.

Eksperti pohoi në gjykatë se, “nga verifikimi konstatoi se fermeri me emrin e subjektit me inicialet “E. F.” sh.p.k (Faktoje ka identitetin e plotë, por ruan anonaminitetin sa kohë çështja është në proçes) ishte mbështetur për ndërtimin e dy serave” Por në terren, ai zbuloi se ishte ndërtuar vetëm një serë. “Tjetra nuk ekzistonte”

Ky proces vazhdon ende mes Agjencisë, që thotë “se duhet t’i kthehet granti bashkë me penalitetet e borxhit dhe fermerit i cili kundërshton se i ndërpreu investimet mbasi nuk iu dha e gjithë shuma që iu premtua se do mbështetej”

Ecuria

E ndërsa procesi gjyqësor për dy serat ka hyrë në fazën e prapësimeve për kthimin e shumës prej 8.7 milion lekësh, në Tiranë për subjektin e paditur në Lundër, AZHBR këmbëngul se mbështetja e dhënë prej 24 milionë lekësh duhet kthyer.

Pretendimet mbështeten në kontrollet e AZHBR, e cila, kur u pyet nga FAKTOJE, konfirmon se në varësi të gjetjeve ajo ka kërkuar në gjykatë ose kthim shume të pjesshme ose të plotë:

”Bazuar në Marrëveshjen Sektoriale ‘Që përcakton dispozitat e menaxhimit dhe zbatimit të asistencës financiare të BE-së për Republikën e Shqipërisë në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Para-Anëtarësimit, në fushën ‘Bujqësia dhe Zhvillimi Rural’ (IPARD II)” si dhe në Udhëzuesin për Aplikantët e Programit IPARD II, subjektet aplikojnë për mbështetje financiare pranë Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, pasi plotësojnë dokumentacionin administrativ dhe ligjor, shpallen fitues dhe nënshkruajnë kontratën e grantit. Në vijim, subjektet monitorohen lidhur me realizimin në terren të objektit të investimit, përfundimin e tij brenda afatit të përcaktuar në kontratë, dorëzimin e kërkesës për pagesë së bashku me dokumentacionin provues, si dhe nëpërmjet monitorimit ex-post pas përfundimit të investimit”.

Argumentimet juridike të AZHBR po dëgjohen në seanca nga të gjithë gjyqtarët administrativë në Tiranë, aty ku ka përfunduar pjesa dërrmuese e kërkesë padive rreth fondeve të Bashkimit Europian në ndihmë të fermerëve vendas.

Problematika

…Në rastin e një subjekti të paditur (nga AZHBR) që operon në fushën e agro-turizmit, gjykata e ka të paqartë se përse dokumentat e dorëzuara nga aplikanti për “diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit“ nuk u kontrolluan, pavarësisht se në rregullat e skemës së IPARD dhe mbështetjes së bashkëfinancuar detyrat janë të qarta, duke përfshirë jo vetëm procedurat e aplikimit, përzgjedhjen, pranueshmërinë, kontraktimin, por edhe zbatimin e kontratës. Ndaj dhe, çështja ka hyrë në sagën e ballafaqimit të dokumenteve dhe larg shpalljes së një vendimi.

KLSH

Në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit ku gjatë 2023 është kryer auditim financiar ndaj Ministrisë së Bujqësisë përmendet se. “për sistemin e aplikimit online për skemat IPARD’, procedurat janë kryer nga AKSHI, është lidhur kontrata dhe ka filluar nga zbatimi si dhe eshtë disbursuar fondi sipas kontratës”

Nga kontrolli i audituesve (publikuar në të njëjtën periudhë kur Shqipërisë iu pezulluan fondet e IPARD, ai per vitin 2025 nuk është zbardhur ende) vërehet se “janë vlerësuar dhe disbursuar fonde për 166 kontrata”

KLSH rendit se “gjatë vitit 2022, janë paguar 111 investime të plota/të përfunduara dhe janë kryer 84 pagesa paraprake, me një total disbursimi prej 19.1 mln euro, prej të cilave 14.4 mln euro nga BE dhe 4.7 mln euro nga buxheti i shtetit. Në këta përfitues rreth 17 % kanë qenë gra (33 kontrata) “

Paratë ku janë?

Padia me objekt “kthim shume“ nuk është e vetmja, por renditet midis dhjetëra padive të tjera të hapura nga AZHBR në Gjykatën Administrative në Tiranë në përpjekje për të vënë pikat mbi “i“ në rastin më të mirë, dhe atë më të keq për të mbuluar dyshimet se deri në çfarë pike u abuzua me grantet e bllokuara qysh prej korrikut 2023.

“Faktoje” u interesua pranë Gjykatës Administrative të Tiranës për betejat gjyqësore të hapura dhe zyrtarisht konfirmohet se “janë 61 çështje ku Agjencia ka paditur subjektet, që kanë përfituar nga IPARD”.

Ndërkohë, për të ruajtur anonimitetin nuk u vendosën në dispozicion të gjithë emrat e plotë të subjekteve, të paditura gjyqësisht dhe as vendimet e shpallura, që pritet të apelohen në shkallën e dytë.

Mes një liste të gjatë emrash të pyetur punonjës të AZHBR dhe përfitues të skemës mbështetëse, më i fundit (datë 26 shkurt 2026) që u pyet ishte administratori i një shoqërie që ofron shërbime konsulence në agrobiznes si dhe realizon projekte për zhvillimin rural dhe bujqësor.

AZHBR

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural konfirmon për FAKTOJE se ka inicuar proçese për kthimin e fondeve në masë të plotë ose të pjesshme kundër 76 subjekteve (ku përfshihen të dyja gjykatat administrative të shkallës së parë Tiranë dhe Lushnjë).

Argumentimi

Avokati Isuf Shehu këmbëngul se institucionet po përmbushin detyrimet e tyre ligjore për t’i shkuar deri në fund një qëndrimi të Bashkimit Europian që kërkon hetime në destinimin e këtyre fondeve.

“Ky aksion në Gjykatën Administrative tregon se shteti shqiptar ka bërë një hetim administrativ prej nga ky konkludohet para gjykatës me padi. Por ky proces nuk ka lidhje fare me hetimin penal” u shpreh avokati Shehu që ka dhënë konsulencën e tij ndaj 5 subjekteve private, që po mbrohen në gjykatë me argumentin se, “i janë përmbajtur ‘check listës’ për përfitimin e mbështetjes financiare në zhvillimin bujqësor”.

Avokati ia adreson fajin institucioneve shtetërore të cilat nuk patën, sipas tij, struktura të posaçme për monitorim të vazhdueshëm për të parandaluar tjetërsimin e investimit dhe mos zbatimin e kontratës

Po hetimet penale?

Për çështjen në fjalë, që ka hyrë në vitin e tretë të hetimit, SPAK pranon për “FAKTOJE” se ka persona nën hetim, por nuk ka zbuluar asgjë rreth të dhënave të të dyshuarve.

“Në përgjigje të kërkesës tuaj për informacion, ju bëjmë me dije se Prokuroria e Posaçme po kryen hetime në lidhje me shpërndarjen e fondeve të programit IPARD nga AZHBR. Procedimi penal në fjalë është ende në fazën e hetimeve paraprake. Bazuar në nenin 279/1 të Kodit të Procedurës Penale, aktet hetimore dhe përmbajtja e tyre përbëjnë sekret hetimor. Për këtë arsye nuk mundet t’ju japim informacione të mëtejshme nëse ka persona nën hetim apo cilët janë personat nën hetim”, tha zyra e shtypit pranë SPAK.

Një burim i sigurt pranë SPAK tha më tej se janë sekuestruar një sërë kontratash dhe janë vlerësuar dokumente e dëshmi me interes për procedimin.

Kallëzimi penal ku pretendohet korrupsion rreth shpërndarjes së fondeve të bujqësisë ka në qendër ish- ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, dhe zyrtarë të AZHBR.

Pano Soko si përfaqësues i Nismës “Thurje” që kreu denoncimin gjatë vitit 2023 u shpreh se kanë denoncuar një skemë që bën përgjegjëse gjashtë hallka institucionale.

“Ne kemi dorëzuar raportin final të OLAF, shpresojmë të ketë zhvillime dhe besoj që kjo duhet të kishte qenë cështja më e shkurtër. Në varësi të këtij hetimi varet çfarë qëndrimi do mbahet për IPARD 3, ndërkohë që nuk kemi shumë kohë, sepse një vit afat ka mbetur dhe pastaj fondet digjen. Besoj që prokuroria do ta shikojë me këtë sy rëndësinë e hetimit penal. Kjo nuk është si çdo çështje tjetër. Ka pasoja nëse nuk tregojmë reagim, Shqipëria rrezikon të humbasë gjithë pjesën tjetër të fondeve” u shpreh eksperti Soko

Nga ana tjetër, gjatë monitorimit të proceseve gjyqësore, (shumë prej tyre në fazë përgatitore), është zbuluar se subjektet nuk kanë respektuar kontratat për të investuar në disa fusha, që nga kapanonet për mbledhjen e frutave, ndërtimin e serave, konservim peshku, bujtina e agroturizëm.

Avokatura e Shtetit që është palë në proceset administrative (si përfaqësuese e interesave të shtetit) pranon se po ndjek 57 çështje që janë për kthim shume. “Por nuk mund të saktësojmë mbi çështjet e IPARD” u shpreh një burim zyrtar i këtij institucioni.

Humbës apo fitues?

D. L. (inicialet e ndryshuara me kërkesën e tij) është një nga subjektet që u padit gjatë shkurtit 2025 në Gjykatën Administrative si një nga përfituesit e granteve në sektorin e turizmit rural dhe të natyrës me synim “investim në ndërtim dhe mobilim bujtine agroturistike”.

Kontrata përmendte se 75 përqind ishin kontribut i BE-së dhe 25 përqind kontribut kombëtar.

Pas grantit, përfituesi paraqiti në dhjetor 2022 kërkesën për parapagesë. Mbas transferimit të shumës së parë, përfituesi kërkoi shtyrje afati për mbylljen e investimit, për pasojë edhe kërkesën për pagesë e depozitoi tej afatit të përcaktuar në kontratën e grantit.

D. L. u refuzua në 10 nëntor 2023. Një shkresë e dytë e njoftoi se ai duhet të kthente edhe këstin e mëparshëm, gjë për të cilën nuk kthehu përgjigje.

Ky qe momenti kur AZHBR nisi procedurat ligjore.

Aplikanti humbi në gjykatë dhe shkalla e parë e detyron me vendim që të kthejë shumën e grantit.

Por beteja ligjore nuk ka marrë fund.

Me kushtin që të mos publikohet emri i tij, D.L. thotë se aplikoi si kushdo tjetër për fondet e IPARD dhe se për procedurat disponon një kontratë. “Më dhanë një këst prej 5 milionë lekësh dhe kurrë nuk erdhën për të bërë kontrolle. Normalisht duhet të lëvronin edhe këstet e tjera por i ndërprenë për shkak të neglizhencës së tyre. Kërkojnë kthim shume sepse synojnë të më bllokojnë” u shpreh ai, i cili ka investuar në një nga zonat më të vizituara turistike të Juglindjes.

D.L. insiston se fitoi një grant prej 27 milionë lekësh, i cili nuk iu kalua i plotë dhe se pas humbjes në Gjykatën Administrative të Tiranës do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit.

Në fakt, vetëm pas hetimit administrativ të OLAF për vitet 2021 -2023 përcjellë Shqipërisë përmes DG-Agrit, institucionet nisën veprimet korrigjuese.

Ish- ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, është shprehur më herët se, “është miratuar struktura e re organizative për AZHBR që forcon mekanizmat kontrollues, parandalues dhe zbulues për çdo parregullsi”.

A do të kthehen paratë?

Megjithatë Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dikur drejtuar nga Frida Krifca që më pas drejtoi ministrinë e linjës, insiston se si palë D. L. duhet të kthejë shumën prej 5,020,877.27, që i përfitoi në bazë të kontratës së grantit në datën 9 nëntor 2022.

Përfituesi detyrohet të paguajë edhe penalitetet deri në datën e kthimit të shumës që janë llogaritur nga sektori i borxhit pranë AZHBR me një vlerë prej 4 milionë lekë shtesë. Një faturë e tillë duhet ende kohë të bëhet e zbatueshme.

Avokati Ilir Qafa i përgjigjet me pyetje, pyetjes se si do të ekzekutohen në finale këto vendime dhe nëse do të kemi apo jo sekuestrime të investimeve, apo zhytje në borxhe të përfituesve.

“Vendimet gjyqësore rrezikojnë të mbeten thjesht vendime, jo të ekzekutueshme. Sepse nga njëra anë shohim të jepen vendime gjyqësore dhe nga ana tjetër ka vend për të menduar se procesi ka për të qenë formal me një sërë veprimesh përmbarimore, që mund të mos garantojnë realizimin real për të rikuperuar fondet e shpërndara sipas programit të IPARD”, u shpreh për “FAKTOJE” avokati Qafa./ Faktoje.al