Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë ka intensifikuar kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, duke evidentuar një tjetër rast kontrabande.
Gjatë kontrolleve të kryera në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, shërbimet e Policisë Kufitare kaluan në vijën e dytë për kontroll automjetin me drejtues shtetasin A. I.
Nga kontrolli i ushtruar në mjet u gjetën një sasi medikamentesh të ndryshme mjekësore dhe veshje të dyshuara të kontrabanduara nga Greqia, pa dokumentacionin përkatës shoqërues. Mallrat, së bashku me automjetin, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi A. I., 54 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuara”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.







