Ballina Aktualitet Investimet e krimit në pasuri, raporti i AAPSK: Tokat në bregdet dhe...

Investimet e krimit në pasuri, raporti i AAPSK: Tokat në bregdet dhe apartamentet, pronat kryesore të sekuestruara

79
0

Krimi në Shqipëri investon në blerjen e tokave dhe të apartamenteve ndërsa llogaritë bankare i depoziton përmes lidhjeve të afërta.

Ky konkluzion del nga raporti vjetor i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ku gjatë përshkrimit të aseteve të bllokuara rezulton se aktualisht janë nën mbikëqyrjen e shteti si pasuri nën sekuestro toka kryesisht përgjatë bregdetit me një vlerë prej tetë milionë euro. Ndërsa 294 objekte janë apartamente, garazhe dhe njësi shërbimi me vlerë 42 milionë euro.

Siç rezulton nga inventari i pasurive të sekuestruara kryesisht nga hetimet e SPAK pasuritë në totalin e tyre kushtojnë 62 milionë euro, prej të cilave 7 milionë euro janë llogari bankare. Nga inventari i pasurive të paligjshme për të cilat drejtësia ka shpallur sekuestro apo kalim të tyre në pronësi të shtetit rezulton se nga 3982  të tilla autoritetet kanë marrë në dorëzim 2890 prej tyre.

Megjithë vendimet e gjykatave 1092 prej tyre nuk janë marrë ende në dorëzim nga agjencia e pasurive të sekuestruara dhe bëhet fjalë për makina, shtëpi dhe shoqëri tregtare.

Për shtëpitë nën sekuestro por që nuk janë marrë nën kontroll nga agjencia deklarohet se familjarët që banojnë në këto pasuri janë bërë pengesë mbasi nuk disponojnë një shtëpi tjetër. Por gjithashtu edhe pasaktësitë kadastrale dhe vështirësi për identifikimin e tyre. Për automjetet  rezulton se nuk janë gjetur në vendndodhjen e identifikuar dhe ndaj janë shpallur në kërkim nga policia. Ekzistojnë dyshimet për fshehjen e tyre dhe largim të qëllimshëm të tyre. Ndërsa për shoqëritë  tregtare ka qenë e pamundur gjetja e selive zyrtare dhe mos përputhje me të dhënat reale në QKB.

Këto të dhëna vendosen zyrtarisht në dispozicion nga agjencia e pasurive të sekuestruara.

Agjencia deklaron se administratorët e pasurive të caktuar nga gjykatat kanë paraqitur kërkesa zyrtare për situatën dhe për të realizuar marrjen në dorëzim të tyre.

Gjykata ka vendosur

3982 pasuri dhe prova nën sekuestro.

2890 pasuri janë marrë në dorëzim.

1092 nuk janë marrë ende në dorëzim.

488 aktualisht janë të konfiskuara.

Të ardhurat

Të ardhurat nga qiratë e pasurive nën sekuestro janë 221,506,575 lekë.

15,000 automjete të klasifikuara për skrap janë nën proces ankandi.