Ballina Kosovë Dështon seanca për votimin e presidentit të Kosovës

Dështon seanca për votimin e presidentit të Kosovës

87
0

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Albin Kurti e ka propozuar zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, për president të Kosovës, si dhe u ka bërë thirrje partive të tjera ta propozojnë kandidatin e tyre.

Konjufca është kandidati i vetëm i propozuar deri më tani, teksa po afrohet afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se për ta thirrur në seancë për zgjedhjen e presidentit, nevojiten të paktën dy kandidatë në garë.

“Derisa nuk kemi së paku dy kandidatë që nuk kanë siguruar 30 nënshkrime për garën për president, unë nuk mund të thërrasë seancën për zgjedhjen e presidentit”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se kemi edhe “30 orë kohë” deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.

Duke propozuar Konjufcën, LVV-ja tha në Facebook se si subjekt politik “është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara”.

“Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme”, tha partia në pushtet.

I menjëhershëm ishte reagimi i partive opozitare.

Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) tha në Facebook se “qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi”.

Sipas LDK-së, për shkak të qasjes “së papërgjegjshme politike të VV-së, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja”.

Nga Partia Demokatike e Kosovës (PDK), deputetja Vlora Çitaku tha se “tashmë është e qartë: Albin Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total”.

Çitaku shkroi në Facebook se “në kohën kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për maturi, unitet dhe përgjegjësi shtetërore, ai me vetëdije po e shtyn vendin drejt një krize të re politike”.

Burime brenda PDK-së thanë për Radion Evropa e Lirë se deputetët e kësaj partie nuk shkojnë fare në seancë “derisa ka kandidatë partiakë pa marrëveshje politike”.

Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i skadon mandati më 4 prill, ndërsa sipas Kushtetutës, presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Prej ditësh, në media janë përmendur emra të ndryshëm si kandidatë të mundshëm, të cilëve sot u janë shtuar edhe Konjufca, dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.

Osmani më herët kishte shprehur gatishmërinë për të kandiduar edhe për një mandat tjetër në krye të shtetit.

Ajo ishte propozuar nga Vetëvendosje kur u zgjodh për herë të parë më 2021, por jo edhe këtë herë.

Kurti, i pyetur nga gazetarët më 2 mars pse nuk po e propozon Osmanin, la të kuptohej se ajo nuk gëzon mbështetje të gjerë, duke thënë se “ne duhet t’i kemi 80 veta që qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht”.

“Prioritet absolut e kemi shmangien e zgjedhjeve të reja, duhet të sigurohemi që jo t’i kemi 80, por 84 apo 85”, tha Kurti.

Gjatë ditës, deputetë të të gjitha partive janë parë pranë Kuvendit, të mbledhur në takime të grupeve parlamentare.

Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon nesër, çka e shton presionin politik mbi shumicën parlamentare për të ofruar një zgjidhje.

Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.

Vetëvendosje tha se është e gatshme t’ua mundësojë partive opozitare të propozojnë kandidat duke iu dhënë nënshkrimet e nevojshme prej 30 sosh.

Sipas Kushtetutës, po dështoi zgjedhja në këto tre runde, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Zhvillimet e sotme pasojnë një sërë takimesh të ditëve të fundit mes kryeministrit Kurti dhe liderëve të partive opozitare, si Bedri Hamza i PDK-së dhe dy takime të njëpasnjëshme të hënën dhe të martën me Lumir Abdixhikun e LDK-së.

Takimet përfunduan pa ndonjë marrëveshje konkrete dhe pa konsensus mes palëve për emrin e kandidatit për president.