Ballina Kulturë “44 Minuta”, fitues në “Retro International Film festival”/ Filmi homazh i Besa...

“44 Minuta”, fitues në “Retro International Film festival”/ Filmi homazh i Besa Myftiut për kujtimet e prindërve: Për të hequr mallin e përjetshëm…

83
0

Filmi “44 Minuta” nga Besa Myftiu është realizuar nga vetë ajo me kamera dore në fund të viteve ’90-të e fillim të viteve 2000, një realizim që vjen si një homazh prekës kushtuar prindërve të saj.

Kur u largua dhe në kthimet që bënte herë pas here Besa, nisi të xhironte prindërit e saj për të pasur kujtime të tyre.

Të gjitha këto filmime i përmblodhi në filmin “44 Minuta” të sjellë për herë të parë në edicionin i parë i “Retro International Film festival”, një festival i dedikuar tërësisht nostalgjisë së artit dhe çfarë do lloj imazhi që ka në fokus të kaluarën.

E ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga Beti Njuma, autorja Besa Myftiu rrëfeu xhirimet e saj.

“Unë jam rritur me shumë dashuri dhe si gjithë brezi im me shumë sakrifica dhe mendoj se prindërit e mi janë përfaqësues të një epoke të tërë që na rriti me pak por me shumë.

Kam përdorur 26 kaseta, por kam regjistruar mbi 100 kaseta, por 26 kaseta me nga 1 orë e gjysmë regjistrim ishin kushtuar prindërve të mi.

Dhe gjatë këtyre viteve nuk kisha kurrë kohë që t’i shikoja kasetat, vetëm kur ata u ndanë nga kjo jeta nisa t’i shikoja kasetat.

Ideja për të bërë një film më lindi mbas 1 viti, ku për të hequr mallin e përjetshëm, se ata ishin në një botë në të cilën unë nuk mund të shkoja  dhe të merrja një biletë për të shkuar dhe për t’u kthyer, dhe në momentin kur unë bëra një përkujtimore për prindërit e mi thashë me vete përse të mos kenë dhe ata disa grimca jete nga prindërit e mi.

Dhe këtë film e bëra për ta dhe familjarët e mi dhe kurrë unë nuk e mendoja se ky film do të shfaqej në kinema”, u shpreh ndër të tjera Besa Myftiu.