Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kundërshtuar ashpër në seancën plenare qasjen e kryeministrit Edi Rama për procesin e integrimit europian, duke e cilësuar të rrezikshme idenë për një integrim ekonomik të përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor në tregun e Bashkimit Europian pa përmbushur më parë standardet demokratike.
Duke iu referuar editorialit të publikuar nga Rama së bashku me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, Tabaku deklaroi se integrimi në Bashkimin Europian nuk është një marrëveshje ekonomike apo një proces i pjesshëm, por një transformim i plotë i shtetit dhe shoqërisë.
“Bashkimi Europian nuk është një treg i thjeshtë pa tarifa doganore. Është një rend demokratik i ndërtuar mbi institucione të forta, barazi para ligjit dhe kufizim të pushtetit. Ky rend nuk mund të ndahet në pjesë,” u shpreh Tabaku nga foltorja e Kuvendit.
Sipas saj, ideja që Shqipëria dhe vendet e rajonit të marrin përfitime ekonomike përpara përmbushjes së standardeve demokratike përmbys logjikën mbi të cilën është ndërtuar procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian.
Tabaku theksoi se historia e zgjerimit europian ka treguar se integrimi ekonomik ka ardhur gjithmonë si rezultat i ndërtimit të institucioneve funksionale dhe shtetit të së drejtës, dhe jo si zëvendësim i tyre.
“Përfitimet nuk mund të vijnë përpara standardeve. Fondet e Bashkimit Europian janë të lidhura me shtetin e së drejtës, konkurrencën e ndershme dhe transparencën. Nuk mund të kërkohen fondet pa garantuar rregullat,” tha ajo.
Deputetja demokrate paralajmëroi se një qasje e tillë rrezikon ta kthejë Shqipërinë në një periferi të përhershme të Bashkimit Europian, një vend që merr fonde dhe akses tregtar, por mbetet me institucione të dobëta dhe me një status politik të paqartë.
Në fjalën e saj, Tabaku kritikoi qeverinë për devijimin nga standardet europiane dhe për problemet e vazhdueshme me sundimin e ligjit, duke përmendur korrupsionin në tendera dhe koncesione, ligjet selektive dhe shkeljen e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.
Ajo theksoi gjithashtu se qytetarët shqiptarë mbeten ndër më pro-europianët në rajon, por njëkohësisht kanë një nivel të ulët besimi tek institucionet e vendit.
“Qytetarët shqiptarë nuk janë të lodhur nga Brukseli. Ata janë të lodhur nga korrupsioni, nga mungesa e drejtësisë dhe nga një qeveri që kërkon rrugë të shkurtra drejt Europës,” deklaroi Tabaku.
Në përfundim, deputetja e PD i bëri thirrje parlamentit të distancohet nga nisma që, sipas saj, e largojnë Shqipërinë nga rruga e integrimit të plotë europian dhe të riafirmojë orientimin strategjik të vendit drejt Bashkimit Europian.
“Shqipëria nuk duhet të kërkojë pazare ekonomike përpara reformave. Integrimi europian është një proces transformues dhe jo një negociatë për përfitime të shpejta,” përfundoi Tabaku.







