Ballina Politika Në situatën katastrofike në shëndetësi, ministrja Sala gjen kohë për leksione gazetarie

Në situatën katastrofike në shëndetësi, ministrja Sala gjen kohë për leksione gazetarie

124
0

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, u ka dhënë dje gazetarëve gjatë një konference për shtyp edhe disa këshilla gazetarie. Me një guxim për t’u admiruar, duke mos ngritur dot as sytë nga teksti që i kishin përgatitur, zonja Sala u kërkoi gazetarëve të kenë kujdes, pasi sipas saj çdo informacion i paverifikuar rrezikon jetën e pacientëve.

Nuk e di askush me siguri se për çfarë e kishte fjalën ministrja e Shëndetësisë. Në një realitet ku vetëm një pjesë e vogël e medias arrin të tregojë atë që ndodh realisht në sistemin shëndetësor në Shqipëri, janë pikërisht disa gazetarë që kanë artikuluar qartë problematikat njerëzore, skandalet e njëpasnjëshme në Onkologjik apo edhe atë që është cilësuar si hajdutëri makabre në koncesionet e shëndetësisë.

Për këto të fundit, në të njëjtën konferencë për shtyp, ministrja Evis Sala tha se do të vazhdojnë.

Megjithatë, mesazhi kryesor i ministres për mediat ishte një thirrje për kujdes në publikimin e informacionit dhe për verifikim të lajmeve.

“Dua të them se media duhet të jetë partneri ynë për ndërtimin e besimit publik dhe vërtet mirëpres bashkëpunimin. Ju ftoj të monitoroni, të pyesni dhe të kërkoni transparencë, por dhe të informoni me përgjegjësi dhe të konfirmoni me profesionalizëm informacionet që përcillen në publik. Sepse reforma në shëndetësi dhe mirëqenien sociale prek jetën e çdo qytetari, çdo familje shqiptare dhe si i tillë kemi detyrim që çdo informacion të jetë i saktë.

Çdo informacion abuziv do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në çdo qytetar, në çdo familje shqiptare”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë gjatë konferencës për shtyp./vna