Shqipëria do të luajë pas pak ditësh ndeshjen e parë “Play Off” ndaj Polonisë, ku duke parë nivelin e kundërshtarit përballë, Shqipërisë i duhet shumë fat dhe natyrisht një skuadër e plotë dhe në një mbrëmje të mirë. Por, trajneri i Kombëtares, Silvinjo, mund të detyrohet të bëjë ndryshime të rëndësishme në repartin e sulmit për ndeshjet e që do të vendosin fatin e pjesëmarrjes në Botëror në fund të këtij muaji.
Kur kanë mbetur pak më shumë se dy javë nga fillimi i grumbullimit të kuqezinjve, situata e sulmuesve kryesorë duket mjaft shqetësuese. Dy nga emrat më të rëndësishëm të ofensivës, Armando Broja dhe Mirlind Daku, po përballen me probleme fizike që mund t’i mbajnë jashtë ndeshjeve vendimtare, ku natyrisht do të ishin humbje e madhe për ne.
BROJA- Sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja, vazhdon të jetë jashtë fushave për shkak të një dëmtimi dhe ende nuk është rikthyer në stërvitje me ekipin e tij. Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi mundësinë e aktivizimit të tij në ndeshjet e rëndësishme që Shqipëria do të zhvillojë në fund të muajit. Broja ka qenë një nga armët kryesore të sulmit kuqezi në vitet e fundit dhe me Silvinjon ka qenë ndër më të preferuarit. Mungesa e tij do të ishte një goditje e fortë për planet e trajnerit, i cili e konsideron atë një element shumë të rëndësishëm për skuadrën tonë. Stafi teknik po ndjek nga afër gjendjen e sulmuesit dhe mbetet për t’u parë nëse ai do të arrijë të rikuperohet në kohë për ndeshjet e “Play Off” apo jo, megjithëse duket thuajse e pamundur sepse nga Anglia raportohet se Broja ende nuk është rikthyer në stërvitje me skuadrën. Në rast se Broja nuk do të jetë gati, trajneri do të duhet të kërkojë alternativa të tjera për repartin ofensiv.
DAKU- Situata duket edhe më problematike për sulmuesin tjetër të rëndësishëm të Kombëtares, Mirlind Daku, i cili ka pësuar një dëmtim në tendinë dhe rrezikon të mbetet për një kohë të gjatë jashtë fushSITUATA ave të lojës. Lajmi është konfirmuar edhe nga trajneri i ri i Rubin Kazan, Frank Artiga, i cili gjatë prezantimit të tij para mediave foli për situatën e sulmuesit shqiptar. Ai theksoi se skuadra nuk do të rrezikojë me aktivizimin e Dakut pa qenë plotësisht i rikuperuar. Sipas Artigës, një dëmtim në tendinë është shumë delikat dhe nëse përsëritet, pasojat mund të jenë serioze, duke e lënë lojtarin jashtë për një periudhë edhe më të gjatë. Për këtë arsye, stafi mjekësor i klubit po monitoron vazhdimisht gjendjen e Dakut dhe rikthimi i tij në fushë do të ndodhë vetëm kur ai të jetë 100% gati. Trajneri spanjoll pranoi gjithashtu rëndësinë e madhe që ka sulmuesi për ekipin e tij. Ai theksoi se skuadra është ndërtuar rreth cilësive të Dakut dhe se është shumë e vështirë të gjendet një lojtar tjetër që të ofrojë të njëjtat karakteristika në lojë. “Kur erdha këtu, mezi prisja të punoja me Dakun, por tani ai është i dëmtuar dhe kjo është një humbje e madhe. Skuadra është ndërtuar rreth tij dhe është shumë e vështirë të gjesh diku tjetër cilësitë që ai ka”, u shpreh Artiga. Megjithëse ekzistojnë disa data të përafërta për rikthimin e tij, ende nuk ka një afat të saktë. Kjo e bën edhe më të paqartë nëse Daku do të mund të jetë në dispozicion të Kombëtares për ndeshjet e rëndësishme që e presin Shqipërinë në fund të muajit.
ALTERNATIVAT– Dëmtimi i Brojës dhe Dakut mund t’i hapë një rrugë të re sulmuesve shqiptarë që janë në formë apo edhe lojtarëve të tjerë që po shënojnë rregullisht me skuadrat e tyre. Kështu, Anis Mehmeti dhe Ernest Muçi mund të jenë dy afrimet e Shqipërisë për takimet e marsit, nëse Broja dhe Daku nuk arrijnë t’ia dalin. Një tjetër alternativë, mund të jetë edhe afrimi i vëllezërve Shpendi të cilët në kampionatin italian po shënojnë rregullisht me skuadrat e tyre respketive në Serinë B. Ndeshja e parë e Shqipërisë do të luhet në datën 26 mars dhe vetëm pak ditë para ndeshjes do të zyrtarizohet lista me lojtarët e grumbulluar, teksa koha nuk premton shumë.







