Ballina Aktualitet Inspektorati Shëndetësor realizoi mbi 4600 inspektime për turizmin në 2025, por vendosi...

Inspektorati Shëndetësor realizoi mbi 4600 inspektime për turizmin në 2025, por vendosi vetëm 2 gjoba për shkelje

81
0

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka ushtruar një kontroll të gjerë mbi subjektet e lidhura me sezonin turistik gjatë vitit 2025, duke evidentuar një sërë mangësish që lidhen kryesisht me dokumentacionin higjieno-sanitar, kushtet e ambienteve dhe sigurinë e ujit të pijshëm.

Sipas raportit vjetor, gjatë këtij viti u kryen në total 4 639 inspektime dhe ri-inspektime në subjekte të sezonit turistik veror, me qëllim verifikimin e zbatimit të legjislacionit dhe akteve nënligjore në sektorin shtetëror dhe privat, si dhe në veprimtaritë e ushtruara nga persona fizikë e juridikë, vendas dhe të huaj. Nga këto, 4 484 ishin inspektime dhe 155 ri-inspektime.

Kontrollet kanë nxjerrë në pah probleme të përsëritura, duke filluar nga mungesa e aktmiratimit higjieno-sanitar dhe raport-analizave për ujin e pijshëm, deri te mungesa e dokumentacionit shëndetësor të punonjësve, si libreza shëndetësore dhe kartela mjekësore ligjore. Gjithashtu, në shumë subjekte është konstatuar mungesa e certifikatave të dezinfektimit, dezinfektimit dhe deratizimit (DDD), ambiente të palyera dhe mungesa e garderobave, duke reflektuar standarde të pamjaftueshme në aspektin e higjienës dhe mirëmbajtjes.

Inspektorati ka gjetur se në shumë subjekte mungonin analizat e ujit të pishinave apo nuk kishin një person përgjegjës për administrimin e saj, si dhe dhe mungonin regjistrat e lëndëve dezinfektuese për trajtimin e ujit të basenit.

Në një pjesë të konsiderueshme të rasteve mungonte certifikimi nga Kryqi i Kuq ose Urgjenca Kombëtare për dhënien e ndihmës së parë.

Po kështu, problematika serioze janë konstatuar edhe në subjektet e furnizimit me ujë të pijshëm, ku është evidentuar mungesa e analizave periodike fiziko-kimike dhe bakterologjike të cilësisë së ujit, mungesa e akt-miratimeve higjieno-sanitare dhe rrethimit të depove të ujit. Në disa raste, depot dhe rezervuarët paraqiteshin të amortizuar, të parrethuar ose pjesërisht të rrethuar, me prani lagështire, myku dhe struktura të dëmtuara, ndërsa mungonte ruajtja me roje 24 orë. Gjithashtu janë konstatuar mungesa të regjistrave të klorinimit dhe mosrespektim i zonave të sigurisë, ndërsa Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor kanë njoftuar edhe raste me analiza mikrobiologjike pozitive për ndotje të ujit të pijshëm.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë vitit 2025 janë vendosur gjithsej 308 masa administrative, nga të cilat 2 masa administrative me gjobë, 7 vendime të ndërmjetme për marrje mase urgjente dhe 299 paralajmërime, çka tregon se pjesa më e madhe e shkeljeve janë trajtuar fillimisht me masa parandaluese.

Sipas raportit, në përmbushje të një Urdhri të Kryeministrit për Task-Forcën Ndërinstitucionale të sezonit turistik veror, janë kontrolluar 1 049 subjekte të vendosura përgjatë vijës bregdetare dhe në zonën e Liqenit të Pogradecit, për të verifikuar mënyrën e eliminimit të ujërave të ndotura dhe respektimin e standardeve sanitare. Megjithatë, raporti nuk paraqet të dhëna të tjera për këtë kontroll./ekofin.al