Ballina Politika ‘Burg! Burg! Burg! Çfarë tha Rama në 12 vite dhe çfarë thotë...

‘Burg! Burg! Burg! Çfarë tha Rama në 12 vite dhe çfarë thotë sot!

82
0

Kryeministri Edi Rama mohoi në mënyrë flagrante arrestimet masive për energjinë elektrike por dhe fushatën frikësuese ndër vite që ka aplikuar për të futur në burg qytetarë për drita, ujin, apo dhe se ndërtuan një mur ndërsa sot mbron ministren Belinda Balluku e akuzuar për abuzime me tendera që përllogariten në rreth 1.1 miliardë euro.

Së fundmi kërcënon me burg qytetarët për parkim të dyfishtë ndërsa për të mbrojtur veten dhe ministrat ka ndërmarrë një nismë që ndryshon Kodin e Procedurës Penale.

Për të rikthyer në kujtesë fushatën që burgosi qindra kryefamiljarë që synonin të siguronin dritë e ngrohje për fëmijët e tyre, shërben një Raport i Avokatit të Popullit në vitin 2015.

“Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ditët e fundit numri i të arrestuarve në flagrancë nga ky organ çdo ditë në të gjithë vendin, vetëm për vjedhje të energjisë elektrike shkon deri në 20 persona”, shkruante Avokati i Popullit i asaj kohe, Igli Totozani, në një raport alarmues, ku kërkonte një politikë shumë më të butë penale, drejtuar Ministrave të Brendshme dhe të Drejtësisë së asaj kohe, Saimir Tahiri e Nasip Naço, drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Haki Çako e kryeprokurorit të kohës, Adriatik Llalla.

Sipas Avokatit të Popullit, “Ka raste kur kanë shkuar grupet e kontrollit të OSHEE apo INUK-ut qytetarët janë larguar nga banesa, apo në raste të veçanta kanë marrë vendim ekstrem duke i dhënë fund jetës, për të mospranuar burgimin”.

Në atë Raport thuhej gjithashtu se të arrestuarit për energjinë elektrike përbëjnë 20 përqind të të gjithë të paraburgosurve në Shqipëri.

“Nga informacioni i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve i datës 17 Mars 2015, rezulton se në institucionet e paraburgimit ka një mbipopullim prej 1190 personash, nga të cilët vetëm për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike” janë 200 persona”.

Numri i lartë i të paraburgosurve pas thirrjes “burg, burg, burg” të Edi Ramës krijoi një situatë të rëndë në ambjentet e paraburgimit.

“Konstatojmë se, ambientet ku mbahen, ruhen e trajtohen këta persona nuk sigurojnë as kushtet dhe standardet minimale, të garantuara nga Konventat Ndërkombëtare dhe legjislacioni i brendshëm, për jetesë të kësaj kategorie personash”, thuhej në Raportin e Avokatit të Popullit.

Pasi renditeshin një seri problematikash të tjera, ligjore, sociale e ekonomike, institucioni i Avokatit të Popullit rekomandonte me urgjencë ndryshimin e politikës penale dhe hetimin e kategorive të këtyre veprave penale pa aplikuar masa sigurimi.

Por, sugjerimi ra në veshin e shurdhër. Edi Rama dhe qeveria e tij zbatoi masat ekstreme për qytetarët e thjeshtë edhe për disa vite të tjera.

DJE

Rama në 12 vite

-Të kenë kapur, të kenë arrestuar, të kenë çuar përpara gjyqit hajdutin e fundit të energjisë elektrike.

-Vjedhja e ujit njësoj si vjedhja e energjisë.

-Do guxojnë të vënë një tullë pa leje, do ndiqen penalisht.

-Kasa fiskale… punën e zezë, çuarjen prapa hekurave.

-Mos ju duhen pastaj shpenzime të mëdha për të marrë avokatë.

-Me burg.

-Të shkojë të rrijë me gatet, tek vendi i gateve.

-Burgimi do të jetë deri në 10 vjet.

-Tre vjet burg. Minimumi tre vjet.

-Do të ndëshkohet me heqje lirie.

-Shtatë deri në 15 vjet.

– Këtë e thotë Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

-Tre viteve burg.

-Ose do t’i çojmë në burg.

-Deri në heqje lirie për ata që shkelin, që dalin për pazar.

-Do t’i fusim në burg.

-Zjarrvënësit do të trajtohen si vrasës.

-Ky mosnjoftim do të konsiderohet vepër penale. Dhe ndjekje penale.

-Me heqje lirie.

– Do t’i trajtojmë njësoj si hajdutët e energjisë elektrike.

-Do të dënohet me burg.

-Në kodin e ri penal, dënimin deri në 15 vjet burg.

– Meritojnë të kalben prapa hekurave.

SOT

Rama më 30 dhjetor 2025

“Çfarë thotë Këshilli i Europës? Nuk e them unë. Në Shqipëri vendosen masa sigurimi ekstreme pa arsyetim. Çfarë është kjo histori? Si qenka kjo që në një vend në mes të Europës që do të bëhet nesër vend i Bashkimit Europian, individit mos të ketë të drejtën e një gjyqi? Çfarë është kjo”