Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ Tiranë u ka bërë thirrje pacientëve, familjarëve të tyre dhe çdo qytetari që të denoncojë rastet e korrupsionit në spital pranë Koordinatorit të Antikorrupsionit në: ‘koordinatori.ak@dpak.al.’
Përmes një video-njoftimi në rrjetet sociale, drejtoresha e këtij institucioni, Anxhela Paparizo, tha se vetëm përmes transparencës mund të ndërtohet një shërbim mjekësor më cilësor.
Deklaratat e Paparizos vijnë pasi pak kohë më parë një deklaratë e saj u bë virale në rrjetet sociale, kur thoshte se nuk kishte dijeni që në spitale t’u merreshin para pacientëve.
Në dijeninë time nuk kam njohur për marrje lekësh, nuk kemi asnjë denoncim në strukturat përkatëse për marrje lekësh nga mjekët”, u shpreh asokohe Paparizo.
Kjo deklaratë e drejtoreshës binte ndesh me raportimet e vazhdueshme dhe ankesat publike të pacientëve ndër vite se ‘po nuk pagove, nuk merr shërbim’.
Njoftimi i drejtoreshës Paparizo:
Nisur nga akuzat e hedhura në publik për afera korruptive të stafit mjekësor, QSUT i bën thirrje pacientëve, familjarëve dhe çdo qytetari që, nëse hasin situata të tilla, t’i denoncojnë pranë Koordinatorit të Antikorrupsionit në: koordinatori.ak@dpak.al.
Vetëm përmes transparencës ndërtojmë një shërbim mjekësor më cilësor.







