Ballina Kronika Tatimet dhe Doganat zbarkojnë në Elbasan, zbulojnë shkelje në 2 pika karburantesh,...

Tatimet dhe Doganat zbarkojnë në Elbasan, zbulojnë shkelje në 2 pika karburantesh, vendosin gjoba

92
0

Administrata Tatimore dhe Administrata Doganore kanë ndërmarrë një aksion të përbashkët kontrolli në sektorin e hidrokarbureve në qytetin e Elbasanit, në kuadër të planit operacional për monitorimin e tregut të produkteve energjetike.

Sipas njoftimit, aksioni u zhvillua mbi bazën e analizës së riskut, e cila identifikoi dy tatimpagues që operojnë në tregtimin e karburanteve dhe për të cilët kishte dyshime për shmangie të detyrimeve tatimore dhe doganore.

Fillimisht, subjektet u monitoruan në distancë, gjatë një faze paraprake kontrolli ku u ngritën dyshime të arsyeshme për përdorimin e dokumentacionit jotatimor dhe për mosdeklarim të plotë të aktivitetit. Pas kësaj faze, një task-forcë e përbashkët e inspektorëve tatimorë dhe doganorë ushtroi kontrolle në terren për të verifikuar situatën.

Nga verifikimet e kryera në subjektet e kontrolluara u konstatuan një sërë shkeljesh të rënda tatimore. Konkretisht, u evidentua moslëshim i faturës tatimore për transaksionet e kryera, punonjës të padeklaruar, si dhe mall pa faturë tatimore. Po ashtu, inspektorët konstatuan mosafishim të listës së çmimeve dhe mospërditësim të të dhënave të biznesit.

Për shkeljet e konstatuara u vendosën penalitetet përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi. Gjithashtu, autoritetet bënë me dije se dy subjekteve të kontrolluara iu sekuestrua dokumentacion jotatimor, i cili do të shërbejë për verifikime të mëtejshme administrative.