Deputeti i Partisë së Lirisë, njëkohësisht dhe sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi, ka bërë thirrje për mobilizim qytetar në protestën e paralajmëruar më 22 mars, duke e cilësuar këtë datë si një moment të rëndësishëm për reagimin publik.
Në një reagim publik, Blushi u shpreh se ‘22 Marsi është dita jonë, dita e çdo shqiptari të lirë’, duke theksuar se qytetarët duhet të ngrihen për dinjitetin e tyre, për të ardhmen e familjeve dhe për barazinë para ligjit.
Ai akuzoi qeverinë për padrejtësi dhe arrogancë, ndërsa shtoi se, sipas tij, pushteti po sillet si ‘pronar i Shqipërisë’.
Deputeti i Partisë së Lirisë u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestë dhe të shprehin pakënaqësinë e tyre në rrugë dhe sheshe.
‘Le të shpërthejë revolta qytetare në çdo rrugë dhe çdo shesh të Tiranës. Le të dëgjohet fort zemërata dhe përçmimi ynë’, u shpreh ai.
Në përfundim, Blushi theksoi se protesta e 22 marsit është momenti kur, sipas tij, ‘populli flet’ dhe i bëri thirrje qytetarëve: ‘Protesto! Reago! Mos hesht!’.







