Një “boom” e fortë dhe më pas një objekt i ndritshëm qiellor që binte pranë Clevelend. Një pamje e pabesueshme ndriçoi qiellin mbi verilindjen e Ohios, SHBA dhe u shoqërua me një tingull aq të fortë sa njerëzit në disa shtete mundën ta dëgjonin.
Videot e postuara në mediat sociale nga banorët treguan një meteor që shpërndahej në qiell. NASA konfirmoi se objekti ishte një meteor.
Raportet për një “boom” të madh pasuan nga njerëz në Ohio, Pensilvani dhe Nju Jork. Tingulli u kap gjithashtu nga një kamera sigurie duke ngritur panik te banorët, të cilët telefonuan shërbimet e urgjencës në 911 dhe këta të fundit më pas komunikuan me qendrën meteorologjike NWS.
“Po marrim raporte në të gjithë Pensilvaninë perëndimore dhe Ohion lindore për një bum të fortë dhe një top zjarri në qiell. Të dhënat tona satelitore sugjerojnë se ndoshta ishte një meteor që hyri në atmosferë”, postoi NWS në internet. Laurence Garvie, një profesor kërkimi dhe kurator i Qendrës Buseck për Studime të Meteoritëve në Universitetin Shtetëror të Arizonës, tha se vendi i mundshëm i uljes ishte Medina, rreth 40 milje në jugperëndim të Cleveland, ku gjuetarët e meteoritëve që kanë fatin të gjejnë rrënojat ka të ngjarë të gjejnë shumë shkëmbinj të vegjël të zinj.







