Ballina Kulturë Lushnje, zbulohet një vendbanim i ri arkeologjik në Murriz

Lushnje, zbulohet një vendbanim i ri arkeologjik në Murriz

78
0

Gërmimet arkeologjike në Kodrën e Pusit, në fshatin Murriz të basgkisë Lushnjë, kanë zbuluar një vendbanim të ri të antikitetit të vonë. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me Muzeun Lushnjë, kanë zbuluar materiale të pasura dhe mbetje të një godine me përmasa të mëdha, e cila mendohet se i përket shekujve 4 dhe 6 pas Krishtit, duke dëshmuar rëndësinë e kësaj zone

Kodra e Pusit, në fshatin Murriz, një vendndodhje në skajin lindor të bashkisë Lushnje në kufi me bashkinë e Belshit, është bërë prej disa javësh stacion i gërmimeve nga instituti kombëtar i trashëgimisë kulturore. Arkeologët kanë zbuluar pjesë të një ndërtese e cila daton sipas tyre në shekujt e 4- 6 pas Krishtit. Gërmimet janë përqendruar në një pikë dominuese me pamje mahnitëse, nga ku duken qyteti i Peqinit në veri, Belshi në lindje, Lushnja në perëndim dhe Kuçova në Jug.

Materialet prej qeramike, monedha të ndryshme, themele e mure ndarëse lenë të kuptohet për një vendbanim të hershëm ilir, por që gjithçka do të zbardhet me ecurinë e mëtejshme të gërmimeve.

Punimet që po kryhen në këtë vendbanim ilir si dhe në dy pika të tjera ku do të nisin gërmimet së afërmi, i shtohen bashkisë Lushnje, e cila kompleton kështu infrastrukturën arkeologjike të cilat do të kthehen në atraksione turistike

Arkeologët mendojnë se ky zbulim dhe dy të tjerë në afërsi të tij, mund të lidhen me zgjatime të rrugës së vjetër Egnatia e cila lidhte perandorinë romake deri në Konstandinopojë.