Një monedhë ari 24 karatësh me portretin e Donald Trump pritet të prodhohet në Shtetet e Bashkuara, pas miratimit unanim nga një komision federal për artet.
Projekti, i mbështetur nga anëtarë të emëruar nga vetë presidenti, konsiderohet si një përpjekje për të nderuar figurën e tij, por njëkohësisht ka hapur një debat të fortë publik.
Gjatë prezantimit, përfaqësues të institucionit përgjegjës për prerjen e monedhave diskutuan edhe për përmasat e saj. Diametri maksimal mund të arrijë deri në tre inç, ndërsa nga Shtëpia e Bardhë u theksua preferenca e presidentit për një variant sa më të madh, me moton “sa më e madhe, aq më mirë”.
Dizajni i monedhës parashikon një portret serioz të Trump, të mbështetur lehtë përpara mbi një tavolinë, bazuar në një fotografi zyrtare të ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Uashington. Në të do të përfshihen edhe mbishkrimet tradicionale amerikane “In God We Trust” dhe “Liberty”.
Por vendimi ka shkaktuar reagime të forta, veçanërisht nga radhët e demokratëve. Kritikët argumentojnë se vendosja e portretit të një presidenti në detyrë në një monedhë bie ndesh me traditën demokratike të vendit.
Senatori Jeff Merkley e krahasoi këtë praktikë me regjimet monarkike dhe autoritare, duke theksuar se nuk përputhet me vlerat e demokracisë amerikane, sidomos në prag të 250-vjetorit të pavarësisë.
Ndërkohë, ekspertët juridikë kujtojnë se ligji amerikan ndalon vendosjen e figurës së një presidenti në monedhë deri tre vjet pas vdekjes së tij. Megjithatë, monedhat përkujtimore prej ari përbëjnë një përjashtim, pasi nuk përdoren për qarkullim, por si objekte koleksionimi.
Pavarësisht polemikave, projekti pritet të marrë edhe autorizimin formal nga Departamenti i Thesarit, duke hapur rrugën për prodhimin e një prej monedhave më të diskutueshme në historinë moderne amerikane.







