Ballina Aktualitet 140 milionë euro për rrugën Kardhiq–Delvinë, tuneli i Skerficës shfaq defekte, uji...

140 milionë euro për rrugën Kardhiq–Delvinë, tuneli i Skerficës shfaq defekte, uji depërton brenda

89
0

Tuneli i Skerficës, pjesë e rrugës Kardhiq–Delvinë, po kthehet në një tjetër shembull problematikash në investimet publike, pasi uji ka depërtuar në brendësi të tij vetëm pak kohë pas përfundimit, duke rrezikuar kështu jetën e kalimtarëve.

Në disa segmente të tunelit vërehen rrjedhje të vazhdueshme uji, që jo vetëm vështirësojnë qarkullimin, por ngrenë dyshime serioze mbi standardet e ndërtimit, ndërsa autoritetet mbeten përgjegjëse për monitorimin dhe mirëmbajtjen e veprave të tilla infrastrukturore.

Tuneli u prezantua me bujë nga qeveria si një investim strategjik, pjesë e aksit Kardhiq–Delvinë, me synimin për të lidhur më shpejt zonat e brendshme me bregdetin dhe për të përmirësuar infrastrukturën rrugore të jugut.

Vlera e tunelit të Skerficës llogaritet në dhjetëra milionë euro dhe përbën një nga elementet më të kushtueshme të aksit Kardhiq–Delvinë.

Kostoja e ndërtimit të kësaj rruge ka kaluar nga një vlerësim fillestar prej 50–60 milionë euro në afro 140 milionë euro deri në përfundimin e saj në vitin 2022.

Ky segment rrugor, me një gjatësi prej rreth 33 kilometrash, përfshin edhe tunelin e Skerficës dhe është ndërtuar në disa lote, ku secili ka përfituar shtesa kontrate deri në 20% të vlerës fillestare.

Ndërkohë, problematikat në këtë aks nuk kanë munguar.

Gjatë reshjeve janë konstatuar rrëshqitje dheu në disa pjesë të rrugës, duke ngritur shqetësime për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e punimeve. Po ashtu, vihet re mungesa e një grupi emergjence pranë tunelit, çka shton rrezikun në raste aksidentesh për të gjithë kalimtarët.