Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar ndaj një publikimi të portalit “VOX Kosova”, ku pretendohet se ajo ka blerë shtëpi në një lagje luksoze me çmim fiktiv.
Nagavci i ka cilësuar këto pretendime si shpifje dhe të pavërteta, duke theksuar se shtëpia e përmendur në artikull nuk është e familjes së saj.
Ajo ka bërë të ditur se do t’i drejtohet rrugës ligjore nëse portali nuk e tërheq publikimin dhe nuk kërkon falje publike brenda tri ditësh.
Deputetja ka theksuar se ka ushtruar tashmë padi ndaj disa personave për shpifje dhe se nuk do të hezitojë të kërkojë përgjegjësi ligjore për cenimin e reputacionit të saj dhe familjes.
Postimi i plotë:
Të nderuar miq,
Sapo jam njoftuar me një tjetër publikim tendencioz të portalit “VOX Kosova”, me titull: “Ekskluzive: Arbërie Nagavci blen shtëpi në lagjen luksoze me çmim fiktiv”.
Kjo kronikë është ndërtuar tërësisht mbi shpifje dhe pretendime të pavërteta, vazhdimësi e sulmeve të orkestruara dhe përpjekjeve për të më njollosur mua dhe familjen time.
E njëjta shpifje është përhapur edhe para disa muajsh, madje edhe nga i njëjti portal. Atëherë kam dhënë të gjitha sqarimet e nevojshme dhe nuk kam ndërmend t’i përsëris sa herë që dikush vendos të riciklojë të njëjtat të pavërteta.
Edhe më skandaloz është fakti se portali pretendon se ka “siguruar dokumente”, ndërkohë që bëhet fjalë pikërisht për dokumentet që unë vetë ua kam dërguar dy personave ndaj të cilëve tashmë kam ushtruar padi për të njëjtën shpifje. Pra, nuk kemi të bëjmë me ndonjë zbulim gazetaresk, por me riciklimin e të njëjtave pretendime dhe dokumente, në vazhdën e sulmeve që i konsideroj të orkestruara.
Kjo nuk është gazetari profesionale. Është joprofesionalizëm flagrant dhe shpërfillje e standardeve më elementare të gazetarisë. Për më tepër, askush nga ky portal nuk më ka kontaktuar për të marrë qëndrimin tim. Liria e medias nuk është licencë për shpifje, manipulim dhe denigrim.
Ndaj dy personave që kanë nisur përhapjen e kësaj shpifjeje kam ushtruar tashmë padi, ashtu siç kam ushtruar padi për shpifje edhe ndaj Lirim Mehmetajt. Nuk do të hezitoj të kërkoj përgjegjësi ligjore nga kushdo që cenon reputacionin tim dhe të familjes sime.
Bazuar në Ligjin Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, kërkoj nga portali “VOX Kosova” të tërheqë menjëherë publikimin dhe të kërkojë falje publike.
Nëse brenda tri ditësh nuk tërhiqet publikimi dhe nuk kërkohet falje publike, do të ndërmarr hapa ligjorë si dhe do t’i drejtohem Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.
Sulmet e orkestruara, shpifjet dhe fushatat denigruese nuk na frikësojnë, nuk na zmbrapsin dhe nuk na ndalin.







