Kryeministri tha se Kosova është plotësisht e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë dhe mbështetjen për Ukrainën. Ai përmendi edhe rritjen ekonomike mesatare prej mbi katër për qind në vit gjatë kësaj dekade.
Kurti kritikoi moszbatimin e pesë marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit. Sipas tij, mosmarrëveshjet dypalëshe duhet të kenë kapitull të veçantë në procesin e anëtarësimit, që të mos e bllokojnë përparimin në fushat e tjera.
Një pjesë të fjalimit ia kushtoi sigurisë. Ai përmendi sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, dhe sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Varagë të Zubin Potokut, më 29 nëntor 2024. Sipas Kurtit, këto sulme tregojnë se fqinji verior vazhdon me qasje agresive ndaj Kosovës.
“Përgjegjësia është thelbësore jo vetëm për drejtësinë, por edhe për parandalimin e sulmeve të ardhshme”, deklaroi ai.
Kurti falënderoi Irlandën për njohjen e pavarësisë në vitin 2008 dhe shprehu pritjen që ajo ta mbështesë Kosovën gjatë presidencës së saj dhe pas saj.
Fjalimi mbylli një javë diplomatike që nisi në Forumin e Paqes në Paris dhe vazhdoi me samitin e Komunitetit Politik Evropian në Dublin, ku Kurti u prit nga kryeministri irlandez, Micheál Martin. Në një intervistë për France 24, ai tha se është ende herët të vlerësohet nëse pas zgjedhjeve në Serbi, ku Aleksandar Vuçiq humbi shumicën parlamentare, mund të hapet një kapitull i ri mes dy vendeve.







